Partisë Socialiste të Kuçovës në qarkun e Beratit i është bashkuar sot edhe ish-kryetari i kësaj bashkie Selfo Kapllani, një ish-drejtues i propozuar nga LSI.
Në takimin me themelues të PS-së Kuçovë, ku ishin të pranishëm kandidatët Blendi Klosi e Bardhyl Kollçaku, ish/përfaqësuesi i LSI-së tha ndër të tjera se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që e ka dëshmuar veten si forca më e emancipuar dhe më avangarde e politikës.
“Duhet sens qytetar e përgjegjshmëri nga të gjithë për të kuptuar çfarë ndodh nëse nuk fitohet ky mandati i tretë. Në krahun tjetër kemi një spektër politik që nuk ofron asnjë lloj besimi,jo vetëm për votuesit e majtë por edhe për të gjithë qytetarët,” u shpreh Kapllani.
Ai shtoi se do të japë kontributin e tij për të arritur objektivin për marrjen e 5 mandateve në qarkun e Beratit, për të arritur një fitore do t’ju shërbejë të gjithë qytetarëve për të garantuar vijimin e reformave të nisura.
Kapllani ka deklaruar se i bashkohet Partisë Socialiste si shumë ish-funksionarë të tjerë të LSI, me bindjen e plotë se Partia Socialiste është e vetmja forcë e progresit dhe partia transformuese e vendit.