“I çmendur jam!” – Vargje nga Arben Duka

I çmendur jam!

Di nga vij-s’e di ku shkoj,
nga gjumi s’jam përmendur,
një kohë çmendurish jetoj,
ndaj jam komplet i çmëndur!

Në ka serioze gjë kjo Botë,
është çmenduri e saj,
dhe çdo gjë tjetër është e kotë,
ndaj qesh se dot nuk qaj!

I çmendur jam se të vërtetën,
krejt marrëzisht e dua,
ndaj më luftuan gjithë jetën,
po s’kanë ç’më bëjnë mua!

Para nuk bëra shumë në jetë,
jo s’e paratë s’i dua,
po prapë jetova si një mbret,
një jetë enkas për mua!

Kështjellë që e ngrita vetë,
me frymë dhe dritë gdhendur,
kaq i mjafton të rrojë si mbret,
kush është si unë i çmendur!

Asnjë s’ka mbjellë në jetë sa unë,
po s’pashë gjë nga të korrat,
çdo gjë që mbolla në furtunë,
gjithnjë e korrën horrat!

Në tjetër vend të isha gjendur,
miliarder pa cak,
po nuk do isha kaq i çmendur,
dhe as kaq luftarak!

I çmendur jam me të vërtetë,
po punë s’i prish njeriu,
të çmendurin e ndan në jetë,
një fije nga gjeniu!

Mullinjtë e Erës i kam vrarë,
njëlloj si Don Kishoti,
dhe eci rrugës kaq krenar,
me pamje prej idioti!

I çmendur jam-por jo mërzitur,
e kokë nuk çaj aspak,
veç muza-muza më ka ngritur,
një kurth edhe një lak!

I çmendur s’jam nga Perëndia,
desha-u bëra vetë,
gjersa më futi poezia,
në kurth edhe në rrjetë!

I çmendur jam me të vërtetë,
të dytë s’ka në Tokë,
se edhe lulet-dhe rrufetë,
burgosur kam në kokë!

I çmendur jam e kam një nam,
për Zot-e Perëndi,
se jam i vetmi në Ballkan,
që rroj me poezi!

Jetoj në mesin e një prralle,
çdo ditë më ka bindur,
një çmendurak i kësaj shkalle,
këtu s’ka për të lindur!

Këtë e thonë gati të tërë,
ndaj e besoj vërtet,
se dhe diamanti për t’u bërë,
kërkon me mijëra vjet!

Ndaj shpirtin kurrë s’ma ka pushtuar,
zilia dhe nakari,
në çdo betejë që kemi shkuar,
kam qenë gjithmonë i pari!

A.DUKA

Loading...