I dënuar me burgim të përjetshëm për ‘Masakrën e Lushnjes’ në 2017, Gjykata e Fierit cakton ‘arrest me burg’ për Orgest Bilbilin

Gjykata e Fierit caktoi masën e re “arrest me burg” për Orgest Bilbilin, njërin prej të dënuarve me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”, e ndodhur në 11 tetor 2017. Arsyeja pse Bilbilit iu komunikua kjo masë e re sigurimi erdhi pasi disa ditë më parë drejtësia shqiptare zbuloi 3 autorët e vrasjes së Besnik Hidës në 1 tetor 2019. Bilbili rezultoi njëri prej vrasësve të 40-vjeçarit, së bashku me Laert Haxhiun, 31 vjeç dhe Ardian Ahmetajn, 49-vjeç. Avokati i Bilbilit, Detar Hysi pretendon se hetuesit nuk kanë prova për të mbështetur argumentet e tyre, ndërsa shtoi se për të vërtetuar përfshirjen në ngjarje të klientit të tij, ata kanë përdorur metoda ekstra-ligjore. Viktima Hida ishte daja i Zamir Latifit, i cili u vra në 11 tetor 2017, ku shënjestër e atentatit ishte nipi i ish-kapobandës famëkeqe të Lushnjes, Aldo Bare (Alfred Shkurti), Xhulio Shkurti, i cili mundi të shpëtonte. Tashmë, drejtësia ka provuar se masakra e 2017 në Lushnje dhe atentati ndaj Hidës në 2019 janë organizuar nga e nëjta dorë. Nga ana tjetër, “Ora News” ka zbuluar të dhëna tronditëse për vrasjen me 16 plumba të Besnik Hidës. Ai u kishte rrëfyer miqve të tij para se të ekzekutohej se Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi i kishin dërguar mesazhe se do ta vrisnin. I ndjeri nuk ishte i përfshirë aspak në aktivitete kriminale dhe në përplasjet mes Aldo Bares e Laert Haxhiut. Këto vrasje e kanë zanafillën që nga 1997.

Vrasja e Besnik Hidës në 2019, Haxhiu me Bilbilin dhe Kaloshin e kërcënuan me vdekje
“Ora News” publikoi të dhëna nga dëshmitë e Fatos Latifi, i afërm i Besnik Hidës (kunati), Bruno Latifit dhe mikut të të ndjerit Ilirjan Xheliu. Pas vrasjes tronditëse të 40-vjeçarit Hida në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në qytetin e Lushnjes, ata kanë rrëfyer për policinë dhe grupin hetimor se i ndjeri ishte i tmerruar nga mesazhet të shumta se Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi do ta vrisnin. Pavarësisht lidhjes familjare me Zamir Latifin, të riun që u vra në “Masakrën e Lushnjes” në 2017, (Besnik Hida, daja i Zamir Latifit), ai nuk e kuptonte se përse duhej t’i rrezikohej jeta, pasi nuk ishte përfshirë në asnjë konflikt. Fatos Latifi dëshmoi pas ngjarjes se kunati i kishte treguar se Laert Haxhiu ishte betuar për ta vrarë përpara ndërrimit të viteve në 31 dhjetor 2019. “Është shprehur Laerti, për mua se nuk do e ha Vitin e Ri. Më kanë dërguar haber, Laerti bashkë me Orgestin dhe Kaloshin janë betuar se do më vrasin”, dëshmoi Fatos Latifi. Bruno Latifi e pyeti Besnikun se kush ia kishte dërguar mesazhet, por ai nuk tregoi emra. Bruno e ka pyetur se kush ishin personat që i kishin dërguar këtë haber dhe ai nuk i ka treguar. Hida ishte i çuditur se çfarë kishin këta persona me të pasi ai nuk u kishte bërë asgjë të keqe atyre.
Ngjarja, si u vra 40-vjeçari, daja i njërit prej viktimave të “Masakrës së Lushnjes”?

Ditën e krimit, Fatos Latifi dhe Besnik Hida ishin takuar në një supermarket dhe më pas u ulën në një lokal. Më tej, Fatosi shkoi te varrezat e qytetit për të qëndruar te varri i të birit, Zamir Latfit, i cili u ekzekutua në 11 tetor 2017. Pas largimit të tij ka ndodhur vrasja e Besnik Hidës. Dy persona të maskuar me veshje anti-plumb, dolën nga një makinë ngjyrë gri. Njëri prej tyre ishte i gjatë i dobët. Personi që ishte më i gjatë ka hipur nga shkallët e anës jugore që të çojnë te lokali ku qëndronte shënjestra, ndërsa personi tjetër ka qëndruar poshtë në rrugë. Personi që ishte më i gjatë është afruar pranë Besnikut dhe ka qëlluar në drejtim të tij me armë automatike, duke e lënë të vrarë. Pasi përfundoi “punën”, bashkë me bashkëpunëtorin e tij kanë shkuar te mjeti me ngjyre gri dhe janë larguar.

Haxhiu u kap në Selanik, po bën gjithçka që të mos ekstradohet, Ahmetaj në burg grek

31-vjeçari Laert Haxhiu u kap për llogari të drejtësisë shqiptare në 23 maj të këtij viti në Selanik, me dokumente false. Ai është dënuar me 18 vite burg për atentatin e 11 tetorit 2017 për vrasjet e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, kurse shpëtoi nga goditjet Xhulio Shkurti. Me burgim të përjetshëm, Apeli i GJKKO dënoi Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. Por, Haxhiu ka refuzuar të ekstradohet në atdhe duke ndjekur rrugën ligjore. Haxhiu rezulton njëri prej 5 personave më të kërkuar për t’u arrestuar nga drejtësia shqiptare që prej vitit të kaluar, së bashku me Talo Çelën, Jani Aliajn, Ibrahim Licin dhe Erjon Llapushin. Autori tjetër i krimit të vrasjes së Besnik Hidës, Ardian Ahmetaj aktualisht ndodhet në burg në Greqi, pasi është arrestuar në vitin 2020. Ai po vuan dënimin me me 11 vite burgim nga Gjykata e Athinës, për armëmbajtje pa leje në rrethana rënduese.

Loading...