Një automjet është djegur me lëndë të posacme mëngjesin e sotëm në Vlorë. Konkretisht ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:45 -5 :00, ndërsa mësohet se para se të digjej ajo është lyer me benzinë. Për ngjarjen policia ka marrë kamerat e sigurisë dhe po heton për të gjetur autorin, i cili mendohet se e ka djegur qëllimisht.
Pushuesit, të cilët kishin ardhur me automjetin në fjalë, ndodhen prej katër ditësh në Vlorë. Jane nga Kërçova e Maqedonisë dhe jetojnë në Gjermani. Pronari i mjetit quhet Burim Zyberi i cili thotë se nuk e di cili është shkaku dhe pse e kanë djegur automjetin.
“Unë nga Maqedonia dhe kam ardhur për pushime ka katër ditë. Ka ndodh kjo. Automjetin e kanë djegur. S’kemi dyshime, s’kemi zënka, s’kemi asgjë me askënd. Jetojmë në Gjermani dhe kemi ardhur për pushime. Është shumë keq të ndodhin këto. Policia po heton dhe kamerat e sigurisë e kanë kapur çfarë kanë ndodhur,”-thotë pronari i Makinës.
Automjeti R8 konsiderohet luksoz pasi nëse e merr të ri çmimi i tij në internet figuron 169 mijë dollarë.