Ambulanca që presin në radhë, disa nga urgjenca e Tiranës, të tjera nga spitalet e rretheve, madje edhe nga spitalet private.
Bombola oksigjeni që zëvendësojnë njëra-tjetrën gjatë pritjes së të sëmurëve me Covid-19 në radhë brenda ambulancave dhe familjarë që me orë të tëra luten të lirohet ndonjë vend në mënyrë që të shtrojnë të afërmit e tyre.
Kjo është panorama prej ditësh në spitalin infektiv në QSUT, ku kapacitetet tek Infektivi janë ezauruar.
Në spitalin e Fierit, prej ditësh ka qenë i shtruar një burrë. Sot, gruaja e tij e ka sjellë tek QSUT, pasi spitalet e rretheve aktualisht nuk kanë pavijone për të sëmurët me COVID-19. Duke pritur shtrimin ajo shprehet e shqetësuar pasi i sëmuri ndodhet me oksigjen në ambulancë:
“I ka dalë tamponi pozitiv. Ka qenë i shtruar, u kurua 5 ditë dhe u bë mirë, se vajti shumë rëndë. Atje u kurua se i dolën mushkëritë e ngarkuara. Nuk mbajnë me Covid, atje nuk kanë repart”, tregon ajo.
Një pjesë e pacientëve të spitalit Infektiv, i transferojnë me ambulancë pranë Covid 3, ish spitalit të kirurgjisë brenda QSUT-së, por edhe aty, sipas infermieres, duhet të presin që dikush tjetër të dalë, pasi nuk ka vende.
Një nga pacientët që po transferohej nga spitali infektiv drejt atij covid 3, i pyetur nga Euronews tregoi se edhe oksigjenin e ndanin me pacientët jashtë dhome. Pacienti tregon kaosin tek Infektivi.
“Atje ku isha unë ata merrnin oksigjen nga mua dhe ia jepnin tjetrit jashtë. Ishim dy veta në dhomë ne, nxirrnin oksigjen nga dhoma që isha unë dhe ia jepnin tjetrit përjashta. Nuk kishe ku i montoje, kishte njerëz”, tregon ai./noa/