Nënë Prena, 101-vjeçarja që jeton në Rubik, tashmë nën kujdesin e 2 punonjësve që ndajnë turnet për ta ndihmuar, shprehet për anën negative të të jetuarit për më shumë se një shekull.
Ajo thotë se e ka marrë malli për shtëpinë e saj dhe për vajzat që tashmë që jo vetëm nuk i ka afër, por i ka dhe jo mirë në gjendje shëndetësore, meqë janë të gjitha në moshë pensioni.
Për emisionin “Real People”, ajo thotë se nuk dëshiron të jetojë më pasi nuk ka asgjë dhe askënd afër.
Mes tjerash shtoi se as shteti nuk kujdeset për të, ndërsa djali dhe burri i kanë humbur jetën.
“Kam bërë 101 vjeç tani në Tetor. Kam lindur në Shtrungajë. Nuk kam djalë, burrë as kunatë. Djali e burrë më ka vdekur. Shteti nuk është kujdesur për mua. Pension kam 70 mijë lekë. Kujdestaret duan lekë. 10 mijë lekë në ditë. Ku ti marrë. Ishalla më merr Zoti.
Nuk kam asgjë dhe askënd. Nuk jam e kënaqur se jam gjallë. S’jam e zonja të mbahem vetë. Të gjithë gocat e kam në pension. Njëra jeton jashtë. Kam 6 vajza, por janë sëmurë. Njëra është paralizuar, njërës i ka dalë sëmundja e keqe, njërës i është dëmtuar njëri krahë. Të gjitha i kam keq”, tha ajo.
Ajo tha se prindërit e kanë fejuar që në moshën 2 vjeçe, dhe se burrin e pa për herë të parë në moshën 18-vjeçare, ditën kur u bë nuse dhe shkoi tek familja e tij.
Prena Buba Marku, shprehet se është nënë e 10 fëmijëve, tre prej të cilëve për fat të keq i kanë ndërruar jetë.
“Jam martuar 18- vjeçe. Kam ndenjur 2 vjet pa fëmijë. Më pas më lindi vajza e parë. 10 fëmijë kam bërë, 8 vajza e dy djem. Vetëm 7 fëmijë kam gjallë. Jam bërë për sevap. Shteti më ka lënë me 70 mijë lekë. Nuk vjen me më parë njeri. Burri ka katër vite që më ka vdekur. Jam fejuar që në moshën 2-vjeçare. Kur jam bërë e madhe më kanë treguar. Burrin e kam parë për herë të parë te shpia e vet, kur jam martuar. E mora se ma dha mami e babi. Ku të jepte nëna e babi do të shkoje”.
Më tej ajo tregoi dhe punët që bënte kur ishte e martuar dhe peripecitë që ka hasur në rritjen e 10 fëmijëve.
“Shkoja merrja dru për sobën, merrnim kashtë, gjithë ditën me lak në shpinë. Mbaheshim me gjë të gjallë. Drutë i mbanin gratë. Duheshin bërë punët, s’kisha ku të ankohesha. Ishte shumë e vështirë të rrisje 10 mijë. Një palë rroba kisha për të gjithë fëmijët. Kam dashur të shkojë në shkollë. S’di as të shkruaj e as të lexojë. Mezi mësova të bëjë firmën”, tha ajo.
Ajo tha se me bashkëshortin që tashmë për fat të keq i ka ndërruar jetë që prej katër vitesh ka kaluar shumë mirë, ndërsa shtoi se vetë ishte pak xheloze.
Ajo thotë se e ka marrë malli për fëmijët dhe për shoqërinë e vet, duke shtuar se nuk ka dëshirë që të jetojë më.
“Me burrin s’kam pas sherr asnjëherë. Kam qenë xheloze. Burri nuk ishte xheloze. Ju burrat jeni më të pabesë. Juve s’ju vjen turp për asgjë. Unë i lutem Zotit përditë hajde më merr. Dal në oborr nuk njoh asnjë. Jam si me fut dele në dhi. Pse të rri, kur nuk shoh fëmijët e mi, shoqet, shtëpinë time. Më ka marrë malli shumë për shtëpinë, për fëmijët”, theksoi ajo.
Nënë Prena tregoi gjënë më të keqe dhe më bukur që i ka ndodhur gjatë gjithë jetës së saj.
“Jeta dhe shkolla janë të barabartë. Po pate shkollë s’ta hedh kush. Po nuk pate shkollë je si berri. Gjëja më e keqe është se s’kam as djalin as burrin. Gjëja më e bukur ka qenë kur më fali Zoti djalin. Të gjithë fëmijët i kam bërë te shtëpia. Vetëm të fundit e kam bërë me maminë. Me vjehrrën e kam kaluar shumë mirë. Sot si do kush vjehrrat se s’ka nevojë. Sot s’jam e kënaqur me jetu mo. S’kam djalë e nuse”, nënvizoi ajo.