Kryeministri i vendit, Edi Rama bëri të ditur se “TANIMË TRASHĒGIMI BOTËRORE e shpallur dhe mbrojtur nga UNESCO, Liqeni i Ohrit për herë të parë në historinë e tij, u pasurua me mbi 1.5 milionë rasate të koranit”.
Rama thotë se prodhimi i rasatit u bë në qendrën moderne të Linit, me kontribut të qeverisë shqiptare, nën drejtimin e ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi.
Sipas Ramës, procesi do të vijojë gjatë gjithë muajit tetor, ndërkohë që një program investimesh buzë liqenit, do të hyjë në fazën e realizimit.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e 43-të të zhvilluar më 6 korrik të 2019 në Baku të Azerbajxhanit miratoi me shumicë votash kërkesën e Shqipërisë për regjistrimin e pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore që mbrohet nga UNESCO.
Liqeni i Ohrit, është një nga liqenet më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe llogaritet si një nga më të vjetrit në botë. Pjesa më e madhe e liqenit i përket Maqedonisë së Veriut, kurse pjesa tjetër, Shqipërisë.
Në bregun e liqenit shtrihen tre qytete të mëdha: Ohri dhe Struga në Maqedoni dhe Pogradeci në Shqipëri. Liqeni i Ohrit i shtohet tre pasurive kulturore dhe natyrore që mbrohen nga UNESCO në vendin tonw, Parku Kombëtar i Butrintit, Qendrat Historike të Gjirokastrës dhe Beratit që mbrohen në seri dhe “Pyjet e Rrajcës dhe Lumi i Gashit”. UNESCO ka pranuar si pjesë të Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” edhe isopolifoninë shqiptare.
Shqipëria dorëzoi një vit më parë në Organizatën Botërore të Monumenteve UNESCO dosjen e kandidimit të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit si Trashëgimi Natyrore dhe Kulturore./atsh