Një i moshuar nga qyteti i Shkodrës i papunë prej 7 vjetësh me profesion piktor u punësua brenda një jave pas ankesës drejtuar platformës së bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al”.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nëpërmjet shërbimit të punësimit trajtoi rastin e Gjelosh Mitaj nga qyteti i Shkodrës i cili kërkonte punë prej 7 vjetësh.
Pasi u shqyrtua ankesa e Gjeloshit, iu ofruan dy alternativa. Qytetari nga Shkodra përzgjodhi ofertën e dytë, duke u punësuar pranë një fabrike këpucësh.
Vetë i moshuari tregoi rrugën e ndjekur. “Unë me zanat jam piktor, kam shtatë vite pa punë dhe gjithë këto vite kërkova punë te zyrat e punës. Erdhi një moment që u lodha. I propozova personelit të zyrave të punës në Shkodër t’i shkruaja Kryeministrit dhe ato e mirëpritën. Të premten rreth orës 12 i shkruajta platformës, ditën e martë nga ora 9 shkova te zyrat e punës pasi me thirrën. Pra përfundimisht falë ndihmës tuaj dhe platformës së bashkëqeverisjes unë u punësova”, u shpreh ai. /atsh