Ceremonia e rivarrimit të eshtrave të Mid’hat Frashërit u zhvillua në parkun e liqenit Artificial në Tiranë, me pjesëmarrjen e figurave të njohura, studiues, historianë, personalitete të artit, autoriteteteve shtetërore dhe familjarëve.
Eshtrat e patriotit Mid’hat Frashëri do të prehen pranë vëllezërve Frashëri, në Parkun Artificial të Liqenit në Tiranë.
Në fjalën e hapjes në këtë ceremoni studiuesi Aurel Plasari e cilësoi Mid’hat Frashëri si një ndër figurat e shquara të kulturës shqiptare, me kontribute të çmuara në shumë lëmi.
”Ai ishte një djalosh gjenial”, theksoi Plasari duke cituar dy shkrime të thjeshta që datojnë në vitin 1887, të parat e botuara prej tij, ku njëri prej tyre i kushtohet Skënderbeut kurse tjetri dallimit mes koncepteve fe dhe komb.
”Pasioni i tij prej 17 vjeçari qe përkthimi i letërsisë dhe përkthente një kryevepër botërore ”Vilhem Telin” e Shilerit. Ky 17 vjeçar u ka dhuruar lexuesve të shqipes modelin e luftës për çlirim të një populli me dëshirë dhe dashuri të mëmëdheut, të jetesës dhe përparimit të atij populli prej punës së ndershme që e bën të lumtur dhe të pasur”, vijoi Plasari.
”Mid’hat Frashërit quhet me bindje të plotë i patjetërsueshmi duke qëndruar mbi jetën dhe vdekjen ,duke ruajtur balancën e shpirtit dhe në fatkeqësi ai mbeti i patjetërsushëm në përmbushjen e misionit në tokë me të cilin e kishte ngarkuar veten. Kryevepra që Mid’hat Frashëri i dhuroi kombit të tij është vet personaliteti i tij. Ai personalitet që te njerëzit e mëdhenj funksionon si thelb i tyre dinamik”, u shpreh ai.
”Mid’hat Frashëri ishte i pajisur me dhuntinë e krijimit. Për të, krijmtaria dhe politika nuk qenë entitete të barabarta, citojmë se ”zgjimi dhe përparimi i popujve ka nisur me veprën e shkrimtarëve”. Frashëri qe promovues i kultit të kombit, promovimi i të cilit lexohet si mision që ia ka përshkruar tej e tej veprimtarinë, të shkruarën dhe të folurën. Ai ishte europian mes europianëve sepse dëshmoi që mundi të merrte pjesë me denjësi në debatet e mëdha të politikës europiane të kohës me tekstet e veta mjeshtërore të mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Plasari.
”Të mbetesh i ndershëm ishte një model jetese që Frashëri ia këshillonte çdokujt tjetër, që për të ruajtur ndershmërinë dhe integritetin duhet të kesh aristokracizëm intelektual të cilin ai e ruajti deri në fund. Ky burrë pasurinë e vetme që pati, pra, librat ia la Shqipërisë”, përfundoi studiuesi Aurel Plasari. /atsh