Kështu deklaron Xhoen Osmani, i cili ra dje pre e dhunës së një punonjësi policie dhe shokut të këtij të fundit.
Në një intervistë për gazetarin Ervis Kuçi, i riu tregon se ka marrë disa fraktura në fytyrë, ndërsa mjeti i tij është dëmtuar.
Ai tha se nuk kishte asnjë konflikt me personat e përfshirë në sherrin që ndodhi mbrëmë në mes të qytetit të Fierit, ndërsa theksoi se policin e njihte vetëm si fytyrë.
Mes të tjerash djali ka mohuar se sherri me oficerin e Patrullës së Përgjithshme në Stacionin Policor Roskovec, Anxhelo Bardhi, ishte për një femër. Ai tha se vajza që ishte në ato çaste në makinë me të ishte një e afërmja e tij.
“Nuk është se kishim pasur konflikt të përparshëm. Ndaluan dhe na prenë rrugën aty ku mblidhen gazetarët për të raportuar për COVID-in. Në atë moment dalin dy persona, polici dhe një person tjetër, që kishin një sqepar në dorë dhe nisën të thyenin xhamin përpara. Më pas xhamin e pasagjerit dhe më pas po më qëllonin dhe mua. Unë po mundohesha që të mbrohesha. Më pas erdhi dhe patrulla e policisë.
Me ata persona nuk kemi pasur debate më herët. I njihja si fytyra. Më qëlluan automjetin dhe unë para disa fraktura.
U kapën në atë moment, pa thënë asnjë fjalë. Vajza që kisha në makinë është një e afërmja ime, s’ka lidhje me këtë çështje. Na mbajtën në polici, na pyetën. Edhe vajza u shoqërua.”, tha Xhoen Osmani.
Ditën e sotme oficeri i Patrullës së Përgjithshme, Anxhelo Bardhi u arrestua, ndërsa një ditë më parë ai u pezullua nga detyra.