I vendoset sekuestro preventive me vendim të gjykatës, një sipërfaqeje toke të mbjellë me pemë në zonën e Radhimë

I vendoset sekuestro preventive me vendim të gjykatës, një sipërfaqeje toke të mbjellë me pemë në zonën e Radhimë, që kap vlerën 2. 3 milionë euro, pasi pronari i sja dyshohet për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, në vijim të goditjeve dhe sekuestrimeve të njëpasnjëshme të kryera ndaj krimit të organizuar dhe pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, ka bërë ekzekutimin e një tjetër vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për vendosjen e masës së sigurisë pasurore “Sekuestro preventive”.

Kjo sekuestro është bërë mbi sipërfaqen 23 000 m2, e mbjellë me pemë në zonën e Radhimës, vlera financiare e së cilës kap shifrën rreth 2.3 milionë euro. Ky sekuestrim pasuror u bë në kuadër të hetimit ndaj personit me inicialet A. L., si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ka rezultuar se ky shtetas dyshohet ta ketë përfituar këtë sipërfaqe pemëtore me anë të falsifikimit të dokumenteve. Veprimet e mëtejshme ndiqen nga ana e Prokurorisë”, njofton zyrtarisht policia e Vlorës.

Loading...