I vodhi delen, bariu merr peng hajdutin dhe e dhunon fizikisht në thertore

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur në fshatin Mënik pranë Ndoqit, ku një person që ka tentuar të vjedhë një dele është marrë peng dhe dhunuar nga bariu i tufës.

Aleksandër Dumi është parë nga Përparim Nika të tërhiqte një dele në rrugë dhe Nika ka dyshuar se është nga kopeja e tij.

Sipas raportimit në gazetën “Shqiptarja”, Përparim Nika e pyeti se ku e kishte marrë këtë dele, por nga ana e Aleksandër Dumit, ka ardhur përgjigja se e kishte gjetur në rrugë. Nika, ka kuptuar se delja ishte e tufës së tij dhe se në atë zonë, vetëm delet e tij qëndrojnë për kullotje.

Përparim Nika, ka filluar ta godasë Dumin duke e tërhequr me forcë dhe futur pa dëshirën e tij në makinë. Dumi fillimisht është çuar në ambientet e një thertoreje, ku është rrahur keqas dhe më pas është zbritur në një përrua ku dhe aty është mbajtur peng dhe është dhunuar nga Përparim Nika dhe Ermal Ceka. Pasi e kanë rrahur, ka qenë vetë Përparim Nika, i cili ka njoftuar policinë se kishte kapur një person që i kishte vjedhur një dele, duke ja dorëzuar policisë.

Nga dhuna fizike, Aleksandër Dumi ka pasur dëmtime të rënda fizike dhe është dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës. Dumi ka thënë në polici se është mbajtur peng për 4 orë nga Përparim Nika dhe disa persona të tjerë, të cilët nuk i njeh.

Dumi ka deklaruar se ka qenë i dehur dhe ka vjedhur një dele në fshatin Mënik, Ndroq. Pas konstatimit të plagëve, në polici është shoqëruar Përparim Nika dhe Ermal Ceka, ku ky i fundit ka deklaruar se: “….e kam goditur me dy shpulla autorin e vjedhjes së deles, por jo në atë mase që ankohet Aleksandër Dumi…”.

Nisur nga këto rrethana policia ka arrestuar Përparim Nika, për veprën penale të “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”, në kushtet e vuajtjeve të rënda fizike. Prokurori i çështjes Julian Zonja kërkoi caktimin e masës së “arrestit në burg” për Përparim Nika pasi akuzohet për dy vepra penale të rënda. Por nga ana tjetër gjykata e Tiranës, ka vendosur të nxjerrë të paligjshëm momentin e arrestimit të Nika nga policia dhe të caktojë ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Lirimi nga burgu i Përparim Nika, ka bërë që prokuroria e Tiranës të apelojë vendimin e shkallës së parë në Apel, duke kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg”, për të.

Loading...