IDUA I GJONDEDE…
– për Idai Gjondedën, njeriun që së pari hapi derën për Folk Grup “Bilbili”, në 30 dhjetor 1994 –
Kam shumë e shumë vite që prisja të thoshja dy fjalë.
Për Idai Gjondedën, njeriun që në historikun e Grupi “Bilbili” ka gjurmën e vet të pa harrueshme, madje shumë të veçantë si ngjarje njerëzore.
Tamam në një datë si sot, njëzet e katër vite më parë, më saktë në 30 Dhjetorin e vitit 1994, aty në barakën e tij, në urën e dytë në Radhime, anëtarët e grupit ” Bilbili” të sapo formuar, do shtronin drekën e parë tradicionale.
Sapo kishim bërë fotografitë e rastit me kostumet tradicionale aty në ambjentet e Vilave, mbi Tunelin në Vlorë dhe, ashtu siç ishim, përpara se të ndaheshim dëshironim që të gjithë ç’ishim të kalonim një drekë të përbashkët.
Vendosëm që drekën ta kalonim diku në zonën e Radhimës, edhe si një lehtësi për të ardhurit nga Bregu, më saktë nga Piluri që përbënte një të tretën e grupit.
Ishte ditë dimri, fund Dhjetori, dhe Llogarai nxinte nga retë e zeza të varura qafës e maleve.
Hypëm në makina dhe bëmë tutje Rivierës.
Asnjë lokal deri te Ura e dytë, në Radhimë, atje ku sot kthehesh për në resortin Cekodhima.
Matanë urës, poshtë saj, na u shfaq një barankë shërbimi
Ndaluam dhe kërkova të zotin.
Një burrë i bëshëm, tipik lab, më doli përpara e mu prezantua.
I thashë se isha me një grup me këngëtarë polifonie e donim të darkonim.
– Me kë je – më tha
Po ja, jam me Lefter Çipën, Arap Çeloleskën, Ermioni Mërkurin, Qirjako Balën, Arjan Shehun, Mehmet Vishen, Petrit Lulon, Sinan Gjolekën e Spiro Çinon,
thjesht të konsumojmë diçka për drekë- i thashë.
Dëgjo, e kam një porosi, kam një mish të pjekur për një kolektiv por unë do ta vë në shërbimin tuaj, prandaj futi shpejt brënda- më tha.
Kur zumë vend në tavolina, pa pritur të vinte porosia, i zoti barankës u shfaq me një shishe një litroshe rakie e e vendosi në tavolinë, aty ku ishte pozicionuar këngëtari e valltari i shquar i Vranishtit, Arap Çeloleskaj.
E kishte si dhuratë e si mirë se ardhje për të gjithë, si zot shtëpie e sipas zakonit.
Bëni qejf , kjo është nga unë – na tha, me porositësit e gjej unë muhabetin…
Më vonë mësuam se porositësit ishin kolektivi i Gjykatës së Vlorës por që për Idai Gjodedën kurrësesi nuk mund të barazoheshin me atë ardhë korifejsh polifonie.
Me yjet e Pilurit, Vranishtit e Gjirokastrës, të bërë bashkë si një kostelacion atë fund Dhjetori ’94.
Mu kujtua sot kjo histori kur aty, në resortin Dea, ngritur mbi themelet e barangës së njëzetrkatër viteve më parë, i urova Idos së Gjondede vitin e ri 2019.
I rrallë ky lab rradhimiot me rrënjë Tërbaçi, në mënçuri, humanizëm e dashuri për tradita e trashëgimi.
Fisnikëri e derdhur si trashëgimi brezash.
Për Fok Grup “Bilbili”, pikë e pa mohueshme identitare; si histori, dashuri e bekim.
Gëzuar e të paçim, Idai Gjondeda!