Një përgjigje e drejtpërdrejtë për Presidentin e Republikës lidhur me sa parashtron për mosdekretimin e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi…
Zoti President,
Me Kushtetutë nuk e keni këtë kompetencë. Të gjitha kompetencat që ka Presidenti i Republikës janë të specifikuara në Kushtetutë. E drejta e vetme Juaja, në rastin e dekretimit të ministrave, është thjeshtë dhe vetëm organizimi i mirë i ceremonialit. Domethënë, një firmë të bukur, një vulë të dukshme, një pritje të hatashme kur të bëjë betimin ministri… dhe kaq. Me ministrin ka punë vetëm Kryeministri si formuesi i Qeverisë.
Nëse keni diçka serioze për kandidaturën, mund të kontaktoni institucionalisht me Kryeministrin dhe të merreni vesh pa ditur gjë Ne, populli. Nëse nuk e bindni dot Kryeministrin, firmosni dekretin dhe mos u bëni pengesë në politikat europiane të qeverisjes në luftën kundër krimit dhe kriminelëve.
Nëse vlerësoni se kompetencat e Presidentit janë “xhaketë e vogël” për “trupin tuaj të madh”, përpiquni të bëni shumicën absolute të votave në Kuvend dhe çojeni Kushtetutën te ajo që miratoi populli shqiptar në vitin 1994! Të tjerat që bëni janë deformim i shtetit ligjor, i demokracisë, i votës së lirë të popullit, janë mistrecllëqe shqiptarësh… kush je ti dhe kush jam unë, duke lënë mënjanë kush është Shqipëria dhe kush janë shqiptarët!