Brahim AVDYLI:
IKJA IME
PËRKUSHTIMORE
1.
Kjo rrugë
përherë është ikje
nga përditshmëria
ikje e imja
përkushtimore
ikje poetike!…
2.
Vrapoj nëpër kohëra
e nuk i ndali
bredhëritjet
derisa të mbërrij
e të ulem
në lëndinën e lotëve,
botën
zhurmëmadhe
e lë prapa vetes!…
3.
I shqetësuar jam
e flas
me rrugicat e mia
bërtas nëpër skaje
edhe me vetveten,
nuk e di
shpesh herë
çka më del prej gojës
nëpër dhembje,
bota dhe unë
nuk kuptohemi
krejtësisht!
4.
Qajnë
edhe vargjet e pambaruara
në një pasqyrë
të psherëtimave,
nuk më vinë
në shtegun e theqafjeve
e mund të përplasen,
të kaluarat
e shqyrtojnë veten e tyre
në shtegëtimet e papritura-
veten e gjykojnë
vitet e bjerruna
me gjysëm përgjegje…
5.
Po t`i shikoje
nuk të duken
ashtu siç do të ishin,
të kaluarat e viteve
tanimë
u gjasojnë rrëfimeve,
edhe kur e thonë
e thonë prej vetvetes
historinë,
qeniet e marrura
shkojnë
deri në çmenduri
prap i takojnë
të dhënat e mia
përkushtimore!
6.
Me kë
do të merrem vesh,
unë dhe ai që thirret
se është njeri
diku
në botën paralele
nuk mjaftojnë
për amazonat e këngëve
as për vargjet
e shfryera,
më kot përpiqem
prej fëmijërisë
e deri sa të vdes
të jap
të vërtetën
e të tashmes!…
7.
Për të nesërmen
nuk më dalin
këto që i shkrova
nga ndjekjet e përndjekjet,
jam aureolë dhembjesh
aureolë komplete ngjyrash
me vizëllimin e dritës
pos të zezës,
me petalet e këngës
deri në pafundësinë
e zërit…
prore mbetet
ikje nga vetvetja!…