Ilir Meta: I gatshëm të dorëzoj mandatin si President për zgjidhje politike parimore

“Edhe pse nuk kam asnjë përgjegjësi për këtë situatë që është krijuar edhe pse kam bërë çdo përpjekje prej gati dy vitesh në këtë detyrë, për të parandaluar një situatë dhe një krizë të tillë, jam i gatshëm unë i pari të sakrifikoj në emër të një zgjidhjeje politike që rivendos normalitetin kushtetues, institucional, politik, demokratik në vend dhe që garanton ecjen e shpejtë drejt çeljes së negociatave në BE, jam i gatshëm për të dyja ekstremet. Që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.

Kështu deklaroi sot Presidenti Ilir Meta nga Pogradeci i pyetur nga gazetarët lidhur me situatën politike në vend.

“Pra, Ilir Meta është i përgatitur dhe është i gatshëm për të dyja rrugët sepse asnjëherë, pavarësisht nga ambiciet e tij, nuk ka rrezikuar dhe nuk mund të pranojë të rrezikojë as për karrigen e tij, dhe as për ambiciet e tij, as Shqipërinë dhe as demokracinë në Shqipëri.Unë do t’i qëndroj betimit tim që, midis pushtetit dhe demokracisë, do të mbaj gjithmonë krahun e demokracisë sepse vetëm demokracia garanton një pushtet për popullin shqiptar në mënyrë që të ndalojmë shpopullimin e Shqipërisë”, tha Kreu i Shtetit.

Meta theksoi e “akti i opozitës për djegien e mandateve ka qenë i papranueshëm për mua si President i Republikës”.

“Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse.Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet”, tha Meta.

Ai shtoi se “si në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral, dhe absolutisht që në vendin tonë si një vend tërësisht pro-europian, mund të ftohen, mund të thërriten edhe një milion qytetarë, të cilët kanë mbushur moshën për të qenë deputetë e që nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligje të reformave të integrimit europian, por kjo duhet t’i sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”.

Ai deklaroi se nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, dhe ndarjen e pushteteve. /atsh/

Loading...