Ilir Meta i ka kthyer sot një tjetër ligj Kuvendit të Shqipërisë

Presidenti i vendit, Ilir Meta i ka kthyer sot nje tjeter ligj Kuvendit te Shqiperise. Presidenca ben me dije se Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT”.

Bashke me dekretin per kthimin mbrapsht, presidenti numeron edhe argumentimet ligjore pse ky ligj nuk duhet te marre firmen e tij dhe duhet te kaloje per rishikim ne Kuvend,

ARGUMENTIMI

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 8 maj 2019, ka miratuar ndër akte të tjera, edhe ligjin nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”. Me shkresën nr.2052 prot., datë 13.05.2019 të Kuvendit, ky ligj është përcjellë në Institucionin e Presidentit të Republikës, administruar me nr.1365 prot., datë 13.05.2019 për dekretim dhe shpallje.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji rezulton se ndryshimet në kornizën ligjore, që rregullojnë profesionin e përmbaruesit gjyqësor privat, janë pjesë e paketës së dytë të projektligjeve të hartuara në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, shtylla e profesioneve të lira. Konkretisht, grupi i ekspertëve në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, në mbledhjen e këtij komisioni të datës 16.12.2016, ka paraqitur propozimin për shqyrtimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar.

Për shkak të mbylljes së veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm, projektligji ka kaluar për shqyrtim pranë Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Shqyrtimi dhe konsultimi i këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, ka filluar në periudhën janar-mars 2017 dhe është përfunduar në muajin mars-prill 2019, duke u përmbyllur me miratimin në seancën plenare të datës 08.05.2019 të një ligji krejtësisht të ri nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, në ndryshim nga varianti fillestar i propozuar për miratim e një ligji ndryshues të ligjit ekzistues nr.10031, datë 11.12.2008.

Sipas raportit të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, nevoja e miratimit të një ligji krejtësisht të ri, erdhi si shkak i propozimeve për ndryshime të shumta në projektligjin e depozituar, të cilat preknin pothuajse të gjitha nenet e ligjit aktual në fuqi nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar”.

Në relacionin e deputetëve dhe në raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut është shprehur se qëllimi i këtij ligji është: ridimensionimi i shërbimit përmbarimor gjyqësor privat në terma të rritjes së eficencës për proceset e ekzekutimit; rritjes së besueshmërisë së publikut përkundrejt këtij profesioni; rritjes së profesionalizmit, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në ushtrimin e këtij profesioni si përmbarues etj.

Referuar raportit të komisionit përgjegjës, kanë marrë pjesë në proceset e konsultimit, diskutimit, përmirësimit dhe mbledhjet e komisionit përgjegjës ku është diktuar kjo nismë ligjore, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, specialistë ndërkombëtarë dhe vendas të misionit “EURALIUS”, përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, përmbarues, përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave etj.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 26/2019, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” me Kushtetutën, me kuadrin ligjor në fuqi që lidhet me fushën e shërbimit përmbarimor gjyqësor, si dhe praktikën parlamentare jo vetëm të miratimit të këtij ligji, por dhe dokumenteve parlamentare të analizës dhe vlerësimit të gjendjes së profesioneve të lira në tërësi dhe planit të veprimit, dokumente këto të hartuara nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë dhe të pranuara nga komisioni i posaçëm parlamentar në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Presidenti i Republikës, çmon se ky ligj i paraqitur për shpallje në tërësinë e tij është një akt ligjor pozitiv në drejtim të zhvillimit të shërbimit përmbarimor privat. Nga ana tjetër, gjatë shqyrtimit u konstatua se disa dispozita të veçanta të këtij ligji dhe konkretisht: neni 2, pika 2/b; neni 9 pika 1, 2; 12 pika 1; nenet 58-60; neni 59, pika 4, si dhe neni 88, pika 1, 2 paraqesin paqartësi në formulimin e tyre; nuk janë në harmoni me legjislacionin aktual në fuqi, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese të sigurisë juridike, si dhe nismës dhe veprimtarisë së lirë ekonomike.

Bazuar në këto konstatime, Presidenti i Republikës, vlerëson se është çasti që këto dispozita duhet të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi me qëllim qartësimin dhe përmirësimin e tyre.

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës së parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ky ligj i duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e dispozitave të sipërpëmendura në ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, mbështetur në argumentet e renditura, si më poshtë:

I. Së pari, parashikimet e nenit 2, pika 2/b, të ligjit nr.26/2019, nuk janë në harmoni me parashikimet e Pjesës IV, nenet 510, e vijues, të Kodit të Procedurës Civile, të cilat përcaktojnë rolin dhe funksionet kryesore të përmbaruesit gjyqësor, si dhe bie ndesh me legjislacionin ekzistues që rregullon profesione të tjera.

Në nenet 510 e 511 të Kodit të Procedurës Civile janë të përcaktuara qartë aktet që përbëjnë tituj ekzekutivë, të cilat vihen në ekzekutim nëpërmjet urdhrit të ekzekutimit që lëshohet nga gjykata. Ndërkohë, në nenin 515 të Kodit të Procedurës Civile përcaktohet se urdhri i ekzekutimit vihet në ekzekutim nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, shtetëror ose privat, me anë të përmbaruesit gjyqësor, në bazë të kërkesës së kreditorit.

Në vijim, dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, nenet 517-519 përcaktojnë qartë detyrat e përmbaruesit gjyqësor në nisjen e një procedure ekzekutimi, fillimisht nëpërmjet një njoftimi të debitorit për të ekzekutuar vullnetarisht detyrimin që përmban urdhri i ekzekutimit e, më pas, kalimin procedural në ekzekutimin e detyrueshëm.

Pra, referuar këtyre dispozitave, shërbimi përmbarimor gjyqësor në sistemin e drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, përbën fazën e dytë të procesit të dhënies së drejtësisë nëpërmjet materializimit të së drejtës së kreditorit dhe përmbushjes së detyrimit të debitorit, palë të një procesi civil. Ky vlerësim gjendet në dokumentin “Analizë e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri”, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë Komisionit të Posaçëm të Reformës në Sistemin e Drejtësisë në qershor të vitit 2015. Në këtë dokument, veç të tjerash, është vlerësuar se detyra që ushtron një përmbarues privat konsiderohet si një funksion publik i deleguar, nisur nga rëndësia që ka procedura e ekzekutimit të titujve ekzekutivë.

Bazuar në këto parime dhe principe kryesore, është organizuar dhe funksionon shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror apo privat.

Ndërkohë, në nenin 2 të ligjit të miratuar nr. 26/2019, parashikohet:

1. Ky ligj zbatohet për përmbaruesit gjyqësorë privatë, që kryejnë veprimet e tyre procedurale për ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile, Kodit Civil, akteve të tjera ligjore, si dhe për subjektet e tjera private dhe shtetërore, që përfshihen në procesin e ekzekutimit.

2.Ky ligj zbatohet edhe për veprimtaritë dytësore që kryhen nga përmbaruesi gjyqësor privat dhe që përfshijnë:
a) kryerjen e njoftimit të akteve gjyqësore dhe dokumenteve zyrtare;
b) njoftimin dhe kryerjen e mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim, me kërkesë të të interesuarve;
c) kryerjen e konstatimeve të fakteve, sendeve dhe dukurive lehtësisht të verifikueshme, që nuk kërkojnë njohuri specifike teknike sipas legjislacionit në fuqi, me kërkesë të të interesuarve;
ç) kryerjen e shitjes së sendeve në ankand publik, me kërkesë të të interesuarve.

Konstatohet se sipas pikës 2 të këtij neni, përmbaruesi gjyqësor privat do të ketë të drejtë të kryejë edhe veprimtari dytësore përtej rolit të tij klasik të ushtruar deri më tani, që përbën edhe detyrën parësore dhe funksionin kryesor të këtij shërbimi publik të deleguar.

Rritja e gamës së shërbimeve, të ofruara prej përmbaruesit gjyqësor privat, është një risi e ligjit nr.26/2019 dhe, në përgjithësi, kjo mund të përbëjë një zhvillim pozitiv për aq sa këto shërbime vijnë në ndihmesë dhe në lehtësim të ngarkesës së punës në sistemin e drejtësisë, në tërësi, dhe nuk bien ndesh me vet natyrën e profesionit të përmbaruesit.

Të tilla shërbime dytësore janë parashikuara në shkronjën “a”, pika 2, e nenit 2 të ligjit ku, sipas raportit të komisionit përgjegjës, arsyetohet se kryerja e këtyre shërbimeve nga përmbaruesi gjyqësor privat do të mundësojnë dhënien e asistencës së shërbimit përmbarimor ndaj gjykatës, në kuadër të njoftimit të akteve.

Po kështu edhe ato shërbime dytësore të parashikuara në shkronjat “c” dhe “ç” të pikës 2, të nenit 2, mund të vlerësohen të pranueshme, përderisa ofrimi i këtyre lloj shërbimeve dytësore kanë dhënë rezultate pozitive në vendet e Bashkimit Evropian (Belgjika, Franca, Holanda, Luksemburgu, Skocia, Spanja, Greqia, Çekia, Finlanda, Hungaria, Zvicra) ku këto shërbime aplikohen nga përmbaruesi gjyqësor dhe, përderisa janë referuar si shembuj pozitiv gjatë shqyrtimit të projektligjit apo që janë mbështetur dhe nga specialisti ndërkombëtar i misionit “EURALIUS 5”, zoti Jos Uitdehaag.

Ndërkohë që, për sa i takon shërbimit dytësor të parashikuar në shkronjën “b”, pika 2, e nenit 2 të ligjit, sipas të cilit veprimtari tjetër dytësore që mund të kryejë përmbaruesi gjyqësor privat është dhe njoftimi dhe kryerja e mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim, me kërkesë të të interesuarve, ky lloj shërbimi i ri, bie ndesh me rolin që ka përmbaruesi gjyqësor sipas Kodit të Procedurës Civile, i cili, për nga natyra, është pjesa fundore e sistemit të drejtësisë, që mundëson vënien në jetë të të drejtave të fituara.

Pikërisht, nëse përmbaruesi do të marrë këtë shërbim të ri, përveç se kjo do ta largojë atë nga roli i tij tradicional, sipas Kodit të Procedurës Civile, por njëkohësisht, do të cenojë dhe cilësinë e shërbimit kryesor që është vënia në ekzekutim i një titulli ekzekutiv.

Ky lloj shërbimi ku përmbaruesi gjyqësor privat do të angazhohet në mbledhjen e detyrimeve financiare me mirëkuptim, e përafron profesionin e përmbaruesit me rolin e ndërmjetësit, një tjetër profesion i lirë ky që përfshihet në profesionet që ofrojnë shërbime të kësaj natyre, apo me rolin e një institucioni apo shoqërie financiare në mbledhjen e borxheve.

Në këtë mënyrë, me këtë shërbim përmbaruesi, në kundërshtim me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, shfaqet dhe hyn në veprim në një proces të mbledhjes së detyrimeve jo në çastin që ka diktuar Kodi i Procedurës Civile; pra, pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, por shumë kohë përpara, duke marrë një rol aktiv negociator për arritjen e mirëkuptimit nga debitori për shlyerjen e detyrimit.

Pikërisht ky parashikim i nenit 2, pika 2/b, e ligjit nr.26/2019, bie ndesh edhe me rolin që ligji nr.10385, datë 24.02.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, i ndryshuar, i ka dhënë profesionit të ndërmjetësit. Sipas nenit 1 të ligjit nr.10385/2011 ndërmjetësimi është veprimtari jashtëgjyqësore, në të cilën palët kërkojnë zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me anë të një personi të tretë asnjanës (ndërmjetësit), për të arritur një zgjidhje të pranueshme të mosmarrëveshjes që nuk bie në kundërshtim me ligjin.

Pra, përmbaruesi jo vetëm që ka si funksion bazë vënien në ekzekutimin të titujve ekzekutivë, por me shërbimin që i jepet nëpërmjet nenit 2, pika 2/b, të ligjit nr.26/2019 do të kryejë praktikisht rolin e ndërmjetësit, duke e shmangur kështu këtë profesion (ndërmjetësin) në procesin e mbledhjes me mirëkuptim të detyrimeve.

Pikërisht ky spostim i rolit të shërbimit përmbarimor gjyqësor, bie ndesh me rolin e tij si ekzekutues i titujve ekzekutivë që përcakton neni 515 i Kodit të Procedurës Civile, në të cilën përcaktohet se me çfarë mjetesh dhe aktesh është i pajisur përmbaruesi gjyqësor përpara se të kërkojë vënien në ekzekutim të një titulli sipas ligjit.

Një tjetër aspekt që duhet sjellë në vëmendje, është se në dokumentin e analizës së sistemit të drejtësisë, konkretisht në faqen 248, është evidentuar si shqetësim se: “Ndryshimet ligjore për shoqëritë debt collection apo të faktoringut, po kthehen në një problem shqetësues për shërbimin përmbarimor. Duhet të përcaktohen qartë në ligj veprimet dhe radha e kryerjes së veprimeve të këtyre shoqërive, pasi po abuzojnë dhe po marrin kompetencat e përmbaruesve gjyqësorë, duke u shndërruar në shoqëri përmbarimore.”

Siç rezulton, ky shqetësim i ngritur nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve, i vlerësuar dhe i pranuar nga ekspertët e nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë, në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, nuk është zgjidhur sipas gjetjeve të eksprtëve për të ndërhyrë në kuadrin ligjor që rregullon fushën e veprimtarisë së institucioneve financiare apo shoqërive debt collection apo të faktoringut.

Në kundërshtim me këtë konstatim, nëpërmjet nenit 2, pika 2/b, të ligjit nr.26/2019, propozohet që ky problem të zgjidhet me të njëjtën metodë, pra duke ndërhyrë me ligj për t’ia dhënë përmbaruesit privat kompetencat e kësaj natyre që nuk përshtaten aspak me forcën shtrënguese ligjore, me të cilën është i pajisur profesioni i tij.

Për gjithë këto arsye të parashtruara më sipër, vihet qartë në dukje se me shërbimin dytësor që i jepet përmbaruesit gjyqësor privat për mbledhjen e detyrimeve me mirëkuptim, sipas nenit 2, pika 2/b, të ligjit nr.26/2019 funksioni që ai merr bie ndesh edhe me vetë parashikimet e nenit 12 të po këtij ligji (26/2019), ku përcaktohet se përmbaruesi gjyqësor privat nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksione publike dhe të praktikojë profesionin e avokatit, noterit apo ndërmjetësit, si dhe nuk mund të kryejë veprimtari që vjen në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, ose është e papajtueshme me ushtrimin e detyrës së përmbaruesit gjyqësor privat.

Edhe vetë dispozita e nenit 12, pika 1, e ligjit nr.26/2019 ka nevojë për përmirësim, pasi është jo e plotë sa i takon papajtueshmërisë së funksionit të përmbaruesit me çdo veprimtari private. Në këtë dispozitë duhet të shtohet edhe shkaku tjetër i papajtueshmërisë që është papajtueshmëria e këtij profesioni me veprimtaritë e tjera publike apo private, pasi në mënyrën sesi është formuluar kjo dispozitë nuk është e qartë gjendja e papajtushmërisë dhe sipas kësaj dispozite duket sikur përmbaruesi është i lirë të kryejë veprimtari të tjera private, mjafton që kjo të mos cenojë funksionin e tij si përmbarues.

Për sa më sipër, Presidenti i Republikës, vlerëson se dispozita e nenit 2, pika 2/b, dhe nenit 12, pika 1, të ligjit nr. 26/2019 duhet të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi i Shqipërisë me qëllim që roli i përmbaruesit gjyqësor privat të mos fokusohet në drejtim të shërbimeve dytësore të mbledhjes së detyrimeve me mirëkuptim apo veprimtarive të tjera private, për të cilat ligjvënësi ka përcaktuar me ligj, institucione apo mekanizma të tjerë për zgjidhjen apo ofrimin e tyre.

II. Së dyti, përmbajtja e nenit 9, pika 1, e ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, nuk përcakton një mekanizëm të qartë ligjor për të vënë në dukje nevojën reale mbi përcaktimin e numrit të përgjithshëm të përmbaruesve gjyqësorë privatë, si dhe shtrirjen e këtij shërbimi në të gjithë territorin e vendit.

Konkretisht: në nenin 9, pika 1, të ligjit nr. 26/2019 parashikohet:

“1. Numri i përgjithshëm i përmbaruesve gjyqësorë privatë, që ushtrojnë veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë, si rregull, nuk mund të jetë më i lartë se numri i përcaktuar nga raporti përmbarues gjyqësor privat për çdo 20 000 banorë rezidentë, bazuar në të dhënat zyrtare të censusit të fundit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave. Ministri, në varësi të nevojës publike dhe në bazë të propozimit të arsyetuar të Dhomës, mund të caktojë një numër më të madh, ose më të vogël të përmbaruesve gjyqësorë privatë”.

Në këtë dispozitë janë përcaktuar kriteret dhe indikatorët, mbi të cilët do përcaktohet numri i përgjithshëm i përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe shtrirja e veprimtarisë së tyre në territorin e vendit.

Në lidhje me këtë përcaktim, fillimisht, vlen të vihet në dukje se propozimi fillestar i deputetëve propozues të projektligjit fillestar, zoti Edmond Leka dhe zoti Jurgis Ҫyrbja, kanë parashtruar në relacionin e tyre se propozimi i projektligjit synon që numri i përmbaruesve gjyqësorë të përcaktohet sipas faktorëve të matshëm dhe objektivë, si:

1. Kërkesat dhe nevojat publike për këtë shërbim;
2. numri i popullsisë (1 përmbarues për një territor ku banojnë 50 000 banorë);
3. numri i titujve ekzekutivë, të dalë nga gjykatat e rrethit gjyqësor;
4. numri i akteve noteriale të ekzekutueshme.

Ndërkohë që, në Raportin e Komisionit të Çështjeve Ligjore, të datës 26.04.2019, është arsyetuar se ajo që është përcaktuar në nenin 9, pika 1, të ligjit nr. 26/2019 është propozuar, duke marrë në konsideratë modelin e ligjit të Kosovës, ligjit bullgar, por edhe problematikën e evidentuar në analizën e sistemit të drejtësisë dhe rekomandimet e strategjisë. Në këtë raport citohet, ndër të tjera, se është vlerësuar edhe dokumenti “Udhërrëfyes i vitit 2009 i CEPEJ-it”, në të cilin parashikohet se shtetet anëtare duhet t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë shpërndarjes gjeografike të përmbaruesve, në mënyrë që të sigurohet një mbulim i përshtatshëm i territorit, konkurrencë e mjaftueshme dhe kompetenca tokësore të mirëpërcaktuara.

Në vijim të arsyetimeve, në raportin e sipërpërmendur të komisionit shpjegohet se ky numër (një përmbarues gjyqësor privat për çdo 20 mijë banorë rezidentë i përcaktuar në nenin 9, pika 1 të ligjit) është caktuar duke marrë në konsideratë edhe numrin e përmbaruesve gjyqësorë që kanë aktualisht licenca aktive, në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë.

Referuar përmbajtjes së nenit 9, pika 1, të ligjit nr. 26/2019, krahasuar me dokumentet parlamentare, Presidenti i Republikës, vlerëson se përcaktimet e bëra në këtë nen, nuk ofrojnë një mekanizëm të qartë për të vlerësuar drejt çështjen që synohet të zgjidhet.

Konstatohet se ka një dallim rrënjësor midis përcaktimit në propozimin fillestar, i cili do të kryhejë mbi bazën e disa kritereve të vlerësuara njëherësh, ku njëri prej tyre ishte përcaktimi i numrit të përmbaruesve gjyqësorë privatë, një përmbarues për një territor ku banojnë 50 mijë banorë ndërkohë që, sipas dispozitës tashmë të miratuar, është një raport prej, një përmbarues gjyqësor privat për çdo 20 mijë banorë rezidentë, bazuar në të dhënat zyrtare të censusit të fundit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave.

Për sa i takon numrit të banorëve që mundet një përmbarues të ofrojë shërbimin e tij, pra 1 përmbarues për 20 mijë banorë, mund të jetë një kriter krejtësisht objektiv, por parashikimi se indikatori për të përcaktuar banorët “rezidentë”, merret nga të dhënat zyrtare të censusit të fundit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave, mund të krijojë një çështje problematike, që mund të ndikojë në mirëfunksionimin e këtij shërbimi.

Referuar ligjit nr. 8669 datë 26.10.2000, “Për censusin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave”, i ndryshuar, përkufizimi i censusit është mbledhja e informacionit në mënyrë që të sigurohet një numërim i plotë i të gjithë individëve, në një moment të vetëm në kohë, si dhe prodhimi i statistikave në lidhje me karakteristikat demografike të popullsisë së Shqipërisë.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të INSTAT-it, në Republikën e Shqipërisë janë realizuar deri më tani 2 censuse, në vitin 2001 dhe në vitin 2011 dhe parashikohet që censusi i ardhshëm të kryhet në vitin 2020. Pra, censusi i popullsisë dhe banesave kryhet në periudha kohore me diferencë kohore prej 10 vjetësh, në distancë nga njëra tjetra. Në vijim të analizimit të të dhënave zyrtare të publikuara nga ky institucion për censusin e fundit, rezulton se popullsia banuese në Republikën e Shqipërisë është rreth 2 milionë e 800 mijë banorë.

Kështu, censuset e realizuara tregojnë gjendjen e faktit në çastin e matjes, por ashtu siç është e njohur publikisht, nevoja për marrjen e shërbimit përmbarimor nuk ekziston vetëm tek këta të fundit, por edhe te pjesa tjetër e popullsisë jo e pranishme në çastin e realizimit të censusit, e cila ka të drejta dhe detyrime brenda territorit të vendit.

Për më tepër, popullsia e një zone apo edhe e një vendi, gëzon të drejtën të lëvizë lirisht dhe të zgjedhë vendbanimin e tij apo, siç ka ndodhur në këto 5 vitet e fundit, ku popullsia e Shqipërisë ka emigruar në mënyrë masive jashtë vendit, çka mund të përkojë me faktin se gjatë matjes që mund të kryhet në vitin 2020, ky fenomen mund të prodhojë një numër të tkurrur të popullsisë në zona të caktuara.

Kjo e drejtë për lëvizje të lirë, mund të sjellë uljen e banorëve rezidentë në një qytet apo zonë të caktuar të vendit, por kurrsesi kjo nuk do të thotë automatikisht se ata heqin dorë nga të drejtat që gëzojnë në vendin ku figurojnë të regjistruar në gjendjen civile.

Pra, referuar sa më sipër, si dhe duke marrë parasysh periudhën e realizimit të censuseve, kohën e mbledhjes, përpunimin dhe publikimin e të dhënave të censusit të fundit, si dhe kohëzgjatjen midis censuseve, përcaktimi i kriterit të vetëm se numri i përmbaruesve gjyqësorë privatë do të jetë një përmbarues për 20 mijë banorë rezidentë, rezulton të mos jetë një përcaktim plotësisht objektiv.

Nga Kuvendi, është vlerësuar që të parashikohet në ligj edhe një mekanizëm, efektiv shbllokues, sipas të cilit, ky numër të mos jetë i pandryshuar. Ministri i Drejtësisë në varësi të nevojës publike dhe, në bazë të propozimit të arsyetuar të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, mund të caktojë një numër më të madh, ose më të vogël të përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Ky vlerësim i ligjvënësit (komisionit) është i drejtë, por parashikimet në paragrafin e dytë të pikës 1, të nenit 9, të ligjit nr. 26/2019 nuk janë shteruese për të reflektuar këtë qasje.

Konkretisht, sipas dispozitës së miratuar, rezulton se: “Ministri, në varësi të nevojës publike dhe, në bazë të propozimit të arsyetuar të Dhomës, mund të caktojë një numër më të madh, ose më të vogël të përmbaruesve gjyqësorë privatë”.

Kjo dispozitë, në formën e miratuar, nuk është e plotë përsa i takon realizimit të procesit, dhe evidentimit të kritereve dhe indikatorët që përdoren për të nxjerrë në pah “nevojën publike” dhe, për rrjedhojë, nuk i jep mundësi Ministrit të Drejtësisë të përcaktojë vendimmarrjen e tij, mbi të dhëna objektive dhe transparente për shtimin apo pakësimin, sipas rastit, të numrit të përgjithshëm të përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Para së gjithash, përcaktimi i termit “nevojë publike”, pa parashikuar edhe kriteret edhe indikatorët që e diktojnë atë, e bën këtë përcaktim të pamatshëm. Në këtë mënyrë, do të ishte shumë më objektive që kjo dispozitë të përmirësohej duke i shtuar asaj edhe indikatorët e përcaktuar dhe propozuar në draftin fillestar të tillë, si: numri i titujve ekzekutivë të dalë nga gjykatat e rrethit gjyqësor në dy vitet e fundit; numri i akteve noteriale të ekzekutueshme; apo dhe, numri i përgjithshëm i përqindjes së kredive të këqija; analiza e të dhënave statistikore vjetore në fushën e drejtësisë që administrohet nga Ministria e Drejtësisë apo që sigurohen nga organet e tjera të sistemit të drejtësisë.

Një arsye tjetër që duhet vlerësuar nga Kuvendi, është fakti se shërbimi përmbarimor shqiptar është një sistem i dual që realizohet si nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat, ashtu dhe nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror. Ky lloj sistemi i jep lirinë e duhur individit për të zgjedhur ndërmjet shërbimit publik dhe/ose shërbimit privat.

Në këtë mënyrë, është e pashmangshme që Ministri i Drejtësisë, përpara kësaj vendimmarrje, duhet të marrë parasysh jo vetëm propozimin e Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat, por të vlerësojë edhe numrin e përmbaruesve gjyqësorë shtetërorë. Për këtë arsye, edhe ky indikator duhet të jetë i vendosur në ligj për ta bërë jo vetëm të orientueshëm, por të detyrueshëm vlerësimin e këtij indikatori në vendimmarrjen e Ministrit të Drejtësisë.

Nëse do t’i referoheshin dokumentit të analizës së sistemit të drejtësisë të qershorit 2015, këtu evidentohet se në atë çast shërbimi përmbarimor gjyqësor privat numëronte rreth 230 përmbarues gjyqësorë privatë të certifikuar, prej të cilëve 150 janë aktivë, ndërkohë që shërbimi përmbarimor shtetëror kishte 57 përmbarues ku 22 prej tyre ushtronin edhe funksionin e kryetarit të zyrës vendore. Ky numër, aktualisht, mund të jetë shtuar apo pakësuar, gjë e cila nuk reflektohet e cituar në dokumentet parlamentare. Këto fakte duhet të vlerësohen nga Kuvendi gjatë procesit të rishqyrtimit të ligjit.

Referuar këtyre argumenteve dhe përmbajtjes së raportit të komisionit përgjegjës, Presidenti i Republikës, vlerëson se shqetësimet e Ministrisë së Drejtësisë ngritura nga gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionin parlamentar lidhur me heqjen e kritereve mbi bazën e të cilave do të përcaktohet numri i përmbaruesve gjyqësorë privat, janë të drejta.

Për gjithë arsyet e sipërcituara dhe për të mos krijuar mundësi që në praktikë të krijohet problematikë që cenon ofrimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat në të gjithë territorin e vendit apo në një rreth të caktuar të tij, Presidenti i Republikës, vlerëson se dispozita e nenit 9, pika 1, të ligjit nr. 26/2019 dhe, për rrjedhojë të saj, edhe pika 2 e këtij neni, duhet të rishikohen edhe një herë nga Kuvendi i Shqipërisë, me qëllim plotësimin e saj me të gjitha kriteret objektive shteruese dhe transparente, mbi të cilat duhet të mbështetet vendimmarrja publike për përcaktimin e numrit të përmbaruesve gjyqësorë privatë apo për shtimin dhe pakësimin e këtij numri gjithmonë në plotësim të nevojës publike në kohën e kërkuar dhe sipas gjendjes reale të kërkesës për këtë shërbim.

III. Së treti, dispozitat e neneve 58, 59, 60 nuk janë të plota dhe në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, i ndryshuar”. Veçanërisht, pika 4 e nenit 59, në formën e miratuar, është e paqartë; çka mund të përbëjë shkak që, në praktikë, kjo dispozitë të zbatohet në kundërshtim të hapur me parimet e Kodit të Procedurës Civile e legjislacionin ekzistues, si dhe vet ligjin e miratuar.

Në kreun IX të ligjit nr. 26/2019, konkretisht në nenet 58, 59, 60 janë parashikuar dispozitat që rregullojnë procesin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë.

Sipas dispozitave dhe raportit të komisionit, çështja e mbivendosjes së kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë zgjidhet duke bërë një ndarje konceptuale ku: Ministria e Drejtësisë ushtron tagrin e kontrollit, ndërsa Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ushtron mbikëqyrjen e shërbimit të përmbarimit privat në lidhje me respektimin e Kodit të Etikës, standardeve profesionale dhe përmbushjen e detyrimeve të përmbaruesve gjyqësorë privatë si anëtarë të Dhomës.

Në parim, ndarja është e drejtë dhe qëllimi vlerësohet pozitiv por, nëse do të krahasojmë përmbajtjen e dispozitave të nenit 59, të ligjit nr. 26/2019 me parashikimet e ligjit nr. 8678, datë 15.04.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, rezulton se ka një përplasje/mbivendosje midis përcaktimeve në këto akte.

Duhet theksuar se pas ndryshimeve Kushtetuese në paketën e ligjeve dytësore, në kuadër të reformimit të sistemit të drejtësisë, u përfshinë edhe ndryshimet në ligjin nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar. Konkretisht, me ligjin nr. 40/2017 “Për disa ndryshime në ligjin nr.8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë””, i ndryshuar, në nenin 6, përcaktohet objekti i veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, në pikën 18/1, ku shprehimisht citohet:
Ministria e Drejtësisë ushtron veprimtarinë e saj në fushat:

“ 18/1. Mbikëqyr, kontrollon, inspekton dhe bën procedim disiplinor për profesionin e noterit, përmbaruesit privat, ndërmjetësit, administratorit të falimentimit dhe të profesioneve të tjera të lira, të lidhura me sistemin e drejtësisë, sipas parashikimeve të legjislacionit të posaçëm në fushën përkatëse” .

Sipas parashikimeve të këtij ligji, është e qartë se procesi kontrollues, mbikëqyrës, dhe inspektues i shërbimit përmbarimor gjyqësor privat është objekt i veprimtarisë vetëm i Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa mënyra sesi e realizon ky organ këtë proces, përcaktohet në legjislacionin specifik.

Ndërkohë, në nenin 58 të ligjit nr. 26/2019, përcaktohet mënyra e kontrollit të veprimtarisë së përmbaruesve privatë nga ministria, ndërsa në nenin 59 përcaktohet mënyra sesi realizohet mbikëqyrja e veprimtarisë nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Konkretisht, në këtë dispozitë parashikohet:

Neni 59

Mbikëqyrja e veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë nga Dhoma

1. Pavarësisht kontrollit që kryhet nga ministria, sipas këtij ligji, Dhoma kryen mbikëqyrjen e veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë, dhe të ndihmëspërmbaruesve, në lidhje me respektimin e Kodit të Etikës, standardeve profesionale dhe përmbushjen e detyrimeve si anëtar i Dhomës. Dhoma kryen mbikëqyrje të rregullt të veprimtarisë të paktën një herë në dy vjet.
2. Dhoma përcakton që mbikëqyrja të kryhet nga një organ i veçantë, i krijuar për këtë qëllim, i cili raporton periodikisht pranë Dhomës dhe këshillon mbi veprimet që duhet të ndërmerren në përputhje me rezultatin e mbikëqyrjes.
3. Dhoma mund të vihet në lëvizje për kryerjen e mbikëqyrjes me nismën e saj, bazuar në ankesën e një pale ose në ankesën e një pjesëmarrësi në procedurën e ekzekutimit.

4. Dhoma, nëse konstaton shkelje në veprimtarinë përmbarimore të një përmbaruesi gjyqësor privat, urdhëron përmbaruesin të eliminojë të gjitha mangësitë në punën e tij, brenda afatit të përcaktuar prej saj dhe/ose bën kërkesë për hetim të thelluar, në përputhje me pikën 1, të nenit 62, të këtij ligji.

5. Dhoma dorëzon pranë ministrisë raportin e mbikëqyrjes brenda 10 ditëve nga përfundimi i këtij procesi.
6. Rregulla të hollësishme për mbikëqyrjen e veprimtarisë dhe sjelljen profesionale të përmbaruesve gjyqësorë privatë, si dhe ndihmëspërmbaruesve, sipas pikës 1 të këtij neni, përcaktohen nga Dhoma”.

Nga krahasimi parësor midis këtyre akteve ligjore, neneve 58, 59, 60 të ligjit nr.26/2019, me pikën 18/1, të nenit 6 të ligjit nr. 8678, datë 14.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, rezulton se kemi një mbivendosje midis tyre, pasi ky i fundit kompetencën e mbikëqyrjes ia njeh si atribut Ministrisë së Drejtësisë dhe jo ndonjë organi tjetër, ndërkohë që neni 59 i ligjit nr.26/2019, mbikëqyrjen e veprimtarisë së përmbaruesve ja përcakton vetëm Dhomës.

Pra, konstatohet se kemi mbivendosje/përplasje kompetencash, gjë që mund dhe duhej të ishte zgjidhur nga Kuvendi i Shqipërisë ose duke korrigjuar parashikimet e pikës 18/1, të nenit 6 të ligjit nr.8678, datë 14.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, ose duke përcaktuar një nënndarje të saktë se cili do të jetë roli mbikëqyrës që mund të kryejë Dhoma Kombëtare e Përmbarimit Privat dhe cili do të jetë roli mbikëqyrës i Ministrisë së Drejtësisë.

Nga parashikimet e pikës 1, të nenit 59 të ligjit nr. 26/2019 ku citohet: 1. Pavarësisht kontrollit që kryhet nga ministria, sipas këtij ligji, Dhoma kryen mbikëqyrjen e veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë, dhe të ndihmëspërmbaruesve, në lidhje me respektimin e Kodit të Etikës, standardeve profesionale dhe përmbushjen e detyrimeve si anëtar i Dhomës. Dhoma kryen mbikëqyrje të rregullt të veprimtarisë të paktën një herë në dy vjet”,rezulton qartë se koncepti i mbikëqyrjes së Dhomës ndaj shërbimit përmbarimor është i ndarë nga koncepti kontrollues dhe mbikëqyrës që ushtron autoriteti publik licensues/delegues, që është Ministri i Drejtësisë.

Funksioni i përmbaruesit gjyqësor privat ashtu siç është përmendur edhe më sipër, është një funksion publik i deleguar që, logjikisht, kërkon që kontrolli dhe mbikëqyrja të jetë detyrë parësore e organit publik që e ka deleguar këtë funksion publik që, në këtë rast, është Ministri i Drejtësisë nëpërmjet strukturave përgjegjëse në varësi të drejtpërdrejtë prej tij.

Përpos kësaj, edhe Dhoma Kombëtare e Përmbarimit duhet të ketë rolin e saj mbikëqyrës, siç është përcaktuar në pikën 1, të nenit 59 që duhet të shtrohen në kuadrin e respektimit të Kodit të Etikës, standardeve profesionale dhe përmbushjen e detyrimeve si anëtar i Dhomës.

Por, mënyra sesi është formuluar pika 4, e nenit 59, me të cilën i jepet Dhomës Kombëtare të Përmbarimit autoritet urdhërues kur konstaton shkelje të veprimtarisë përmbarimore, e nxjerr rolin e dhomës nga ai që është parashikuar në pikën 1, të po këtij neni.

Në pikën 4, të nenit 59, citohet shprehimisht:

“Dhoma, nëse konstaton shkelje në veprimtarinë përmbarimore të një përmbaruesi gjyqësor privat, urdhëron përmbaruesin të eliminojë të gjitha mangësitë në punën e tij, brenda afatit të përcaktuar prej saj dhe/ose bën kërkesë për hetim të thelluar, në përputhje me pikën 1, të nenit 62, të këtij ligji”.

Ky formulim del përtej logjikës së funksionit të saj dhe konkurron hapur autoritetin publik të Ministrit të Drejtësisë, i cili është i vetmi institucion publik që ka përgjegjësinë e drejtimit të shërbimit të ekzekutimit të vendimeve civile dhe penale, sipas nenit 6, pika 12 dhe 13 të ligjit nr.8678, datë 14.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar.

Nëse pika 4 e nenit 59, në përmbajtjen siç është miratuar, do të aplikohej në praktikë, ekziston e gjithë mundësia që ky autoritet të ushtrohet përgjatë një procedure ekzekutimi dhe në ndjekje të veprimeve përmbarimore. Në këtë mënyrë ushtrimi i këtyre kompetencave urdhëruese do të binte haptazi në kundërshtim me parashikimet e nenit 610, e vijues, të Kodit të Procedurës Civile, të cilat urdhërojnë se të gjitha veprimet e përmbaruesit gjyqësor kundërshtohen në gjykatë brenda një afati të caktuar dhe është gjykata ajo që duhet mund të vendosë mbi vlefshmërinë apo pezullimin e tyre. Përveç pasojave të tjera, kjo do të krijonte një situatë konflikti të përmbaruesit me Dhomën, çka do të krijonte një tjetër konflikt me proces gjyqësor të kundërshtimit të akteve dhe, për pasojë, edhe vonesa procedurale për palët e lidhura me veprimtarinë përmbarimore objekt mbikëqyrje.

Referuar sa më sipër, është e nevojshme që standardi i vendosur në pikën 1, të nenit 59, të ligjit nr. 26/2019, të miratuar, të mos cenohet nga paqartësia e parashikimeve të pikës 4, të po këtij neni, parashikime këto që duhet të rishikohen dhe të rivlerësohen edhe njëherë nga ligjvënësi.

Për sa më sipër, vlerësohet e nevojshme që Kuvendi i Shqipërisë të marrë në analizë konstatimet e mësipërme dhe të rishikojë këto dispozita, 58, 59, 60 të ligjit nr. 26/2019, në krahasim me dispozitat e nenit 6, pika 18/1 të ligjit nr. 8678/2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, i ndryshuar, me qëllim harmonizimin e tyre.

Në këtë drejtim. është e domosdoshme që Kuvendi të rishikojë pikën 4, të nenit 59 me qëllim përcaktimin e saktë të rolit mbikëqyrës të Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Gjyqësor Privat për të mos ndërhyrë në procedurë e sipër gjatë veprimeve përmbarimore me asnjë kompetencë urdhëruese, por të qëndrojë në atë rol që i është përcaktuar në pikën 1, të nenit 59 të ligjit të miratuar nr.26/2019.

IV. Së katërti, parashikimet e nenit 88, pikat 1 dhe 2, të ligjit nr. 26/2019 nuk janë të qarta dhe, në formën e miratuar, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike.

Në Kreun e XII, të ligjit nr. 26/2019, janë parashikuar të përfshihen dispozitat tranzitore të zbatimit të tij. Në pikën 1 dhe 2, 7 të nenit 88 të këtij kreu të ligjit, parashikohet:

“Neni 88
Dispozita kalimtare

1. Certifikatat e aftësisë profesionale, të lëshuara nga Ministri i Drejtësisë dhe licencat për përmbarues gjyqësor privat, të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten të vlefshme për sa kohë sa nuk bien ndesh me parashikimet e këtij ligji.

2. Parashikimet e bëra në pikat 1 dhe 4, të nenit 9, të këtij ligji, nuk sjellin pasoja për certifikatat e aftësisë profesionale të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe nuk cenojnë selinë ekzistuese të veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë, ose të zyrave të përmbarimit privat, deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

7. Çdo përmbarues gjyqësor privat dorëzon dosjen e plotë personale të rifreskuar pranë ministrisë, brenda 1 muaji nga miratimi i listës së dokumenteve dhe formatit të vetëdeklarimit nga ministri. Lista e dokumenteve që dorëzohen dhe formati i vetëdeklarimit të të dhënave të kërkuara përcaktohet me urdhër të ministrit, pasi merret mendimi i Dhomës, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji.”

Sipas përmbajtjes së kësaj dispozite tranzitore, kuptohet që nëpërmjet këtij ligji duhet të realizohet një proces screening/verifikues i plotësimit të kushteve dhe kritereve, pra i mënyrës sesi është pajisur apo licencuar cilido përmbarues gjyqësor privat me certifikatat e aftësisë profesionale apo licencat përkatëse, por njëkohësisht edhe përshtatja e tyre me parashikimet e ligjit nr.26/2019.

Ky proces verifikimi mbështetet nga Presidenti i Republikës, pasi në mënyrë të vazhdueshme shërbimi përmbarimor gjyqësor privat ka shfaqur problematika, të cilat janë vënë në dukje edhe në dokumentacionin parlamentar të reformës në sistemin e drejtësisë (Analiza e Sistemit të Drejtësisë dhe Plani i Veprimit). Për këtë nevojitet që të verifikohet saktësisht nëse individët që kanë marrë një certifikatë të aftësisë profesionale, e kanë siguruar atë në përmbushje të parashikimeve të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, dhe nëse e meritojnë vërtet që të jenë pjesë e këtij shërbimi.

Duke vlerësuar edhe një herë qëllimin e ligjvënësit për verifikimin e përputhshmërisë së procesit të licencimit, duhet theksuar se ky qëllim nuk përmbushet në mënyrë objektive nëpërmjet parashikimit të pikës 1 dhe 2, të nenit 88, të sipërcituar.

Në pikën 1, të nenit 88, parashikohet: “1.Certifikatat e aftësisë profesionale, të lëshuara nga Ministri i Drejtësisë dhe licencat për përmbarues gjyqësor privat, të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbeten të vlefshme për sa kohë sa nuk bien ndesh me parashikimet e këtij ligji”.

Me qëllim vlerësimin e kushtetutshmërisë së kësaj, është e nevojshme, pikësëpari, të sqarohet kuptimi i saktë dhe i qartë që i duhet dhënë asaj dispozite. Një aspekt shumë i rëndësishëm i respektimit të kushtetutshmërisë së normave juridike është qartësia, rrjedhshmëria, koherenca dhe mungesa e kontradiksionit logjik ndërmjet tyre.
Pikërisht, dispozita e pikës 1, të nenit 88, me përmbajtjen e saj të miratuar ku shfaqet hapur kontradiksioni logjik mund të gjejë një interpretim të gabuar në praktikë ku, “Certifikatat e aftësisë profesionale të lëshuara nga Ministri i Drejtësisë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 26/2019, do të vlerësohen për sa i takon përputhshmërisë së tyre me kërkesat e tij (ligjit nr. 26/2019).

Nëse dispozita e nenit 88, pika 1, nuk ka pasur për qëllim realizimin e këtij procesi në mënyrë të tillë, atëherë kjo përmbajtje e paqartë e normës ligjore, i lë shteg zbatuesit të saj t’i japë kuptime të ndryshme dhe që mund të sjellë pasoja negative. Pikërisht kjo gjendje nuk është në përputhje me parimet kushtetuese dhe me qëllimin, stabilitetin, besueshmërinë dhe efektivitetin që synon ligji nr. 26/ 2019.

Nëse qëllimi i miratimit të kësaj dispozite ka qenë pikërisht realizimi i verifikimit, në mënyrën siç është shprehur, atëherë jemi përpara cenimit flagrant të parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe cenimit të të drejtave të fituara në mënyrë të ligjshme, parime këto, për të cilat Gjykata Kushtetuese ka një praktikë të gjatë dhe shteruese në këtë drejtim.

Edhe përmbajtja e pikës 2, të nenit 88 paraqet paqartësi të theksuara. Në këtë dispozitë citohet:
“ 2. Parashikimet e bëra në pikat 1 dhe 4, të nenit 9, të këtij ligji, nuk sjellin pasoja për certifikatat e aftësisë profesionale të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe nuk cenojnë selinë ekzistuese të veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë ose të zyrave të përmbarimit privat, deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Përmbajtja e kësaj dispozite nuk është e plotë sa i takon mbrojtjes së të drejtave të fituara, pasi krijon hapësirën që certifikatat e aftësisë profesionale të përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe selitë ekzistuese të veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë ose të zyrave të përmbarimit privat, të cenohen nga parashikimet e pikës 2, të nenit 9 të ligjit nr.26/2019 ku citohet:

“2. Ministri, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës dhe pa tejkaluar numrin e përgjithshëm të parashikuar në pikën 1, të këtij neni, përcakton me urdhër, të paktën çdo 5 vjet, numrin e përmbaruesve gjyqësorë privatë në çdo rreth gjyqësor.”

Në këtë mënyrë, referuar dispozitave të pikës 2, të nenit 88 dhe pikës 2 të nenit 9 rezulton se mundet që vërtet certifikatat e aftësisë profesionale të përmbaruesve gjyqësorë privatë mund të mos cenohen për shkak të numrit të përgjithshëm, por ndërkohë, selitë ekzistuese të veprimtarisë së përmbaruesve gjyqësorë privatë, mund të preken në rast se numri i përmbaruesve gjyqësorë privatë, për çdo rreth, gjyqësor kufizohet.

Për më tepër, edhe togfjalëshi në fund të fjalisë së pikës 2, të nenit 88 “deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, krijon ambiguitet dhe një nivel sigurie dhe mbrojtjeje, që do të aplikohet vetëm deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.26/2019. Kjo kërkon domosdoshmërisht që kësaj dispozite përpara këtij togfjalëshi t’i shtohet togfjalëshi “të dhëna apo të krijuara”, në mënyrë që vetë dispozita të marri kuptim të drejtë dhe të mos keqinterpretohet në praktikë.

Ekzistenca e paqartësisë, e pasaktësisë, e kontradiksionit logjik ose e pazbatueshmërisë të normave ligjore, që mbartin drejtpërsëdrejti rrezikun e mosrespektimit të parimit të shtetit të së drejtës, shërben si argument i mjaftueshëm, për t’i konsideruar ato si të papajtueshme me Kushtetutën.
Në këtë mënyrë, me paqartësinë e normës (pikës 1, të nenit 88) krijohet një situatë e pakuptueshme në të cilën ndodhen përmbaruesit gjyqësorë privatë, si dhe nuk pasqyrohet aspak e qartë se cilat janë situatat ku certifikata e aftësisë profesionale dhe licenca e përmbaruesit gjyqësor privat të lëshuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji mund të bien ndesh me parashikimet e tij që mund të sjellin pavlefshmërinë e tyre, si dhe në çfarë mase dhe me çfarë procedure do të realizohet procesi i verifikimit të ligjshmërisë së certifikatave apo licencave të dhëna.

Në këtë dispozitë, gjithashtu, do të duhej të parashikohej edhe mekanizmi që do të zbatonte dhe monitoronte aplikimin e këtij procesi dhe vendimmarrjen përfundimtare mbi të. E njëjta problematikë paqartësie konstatohet edhe në pikën 2, të nenit 88 siç cituam më sipër.
Gjykata Kushtetuese, në vendimet dhe praktikën e saj, ka arsyetuar: “Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria ligjore, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt këtë parim, kërkohet që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të… . (shih vendimin nr. 36, datë 15.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
Në kushtet kur këto dy dispozita të nenit 88 pika 1 dhe 2, janë të paqarta, ambigue dhe, për rrjedhojë, të pakuptueshme, Presidenti i Republikës vlerëson se cenohet parimi i sigurisë juridike mbi të drejtën e fituar.

Ligjvënësi duhet të qartësojë mirë dhe në mënyrë shteruese, se cila do të jetë mënyra se si do të kryhet procesi i verifikimit për të evidentuar përputhshmërinë me ligjin të procesit të dhënies së certifikatave me ligjet që kanë qenë në fuqi në kohën kur ka dalë akti, duke shmangur në mënyrë të domosdoshme që ky krahasim të bëhet me një normë që nuk ka ekzistuar.

Përpos sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se, në kushtet kur Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Privat është funksion publik i deleguar dhe paraqet fazën përfundimtare të vënies në vend të së drejtës së fituar me vendim gjyqësor, çmon të domosdoshme që në këtë ligj mund të ishte parashikuar në mënyrë të kujdesshme dhe objektive edhe kryerja e një procesi rivlerësimi kalimtar (vetting) për të gjithë subjektet që gëzojnë certifikata apo licenca të ushtrimit të shërbimit përmbarimor privat, me qëllim rivlerësimin e aftësive të tyre profesionale, etike dhe morale.

Besimi i publikut tek sistemi i drejtësisë nuk cenohet vetëm nga keqfunksionimi i sistemit gjyqësor, por dhe nga niveli i ulët i profesionalizimit të përmbaruesve gjyqësorë, si dhe niveli i ulët i ekzekutimit të titujve ekzekutivë.

Presidenti i Republikës, gjen rastin të ritheksojë se mosekzekutimi i vendimit të gjykatës, bën që të drejtat e fituara të ngelen fiktive, duke sjellë kështu humbjen e besimit të publikut, jo vetëm te përmbaruesi por, tek i gjithë sistemi i drejtësisë edhe pse një segment i tij, nuk e ka kryer detyrën.

Një sistem përmbarimor që nuk funksionon si duhet, përbën gjithmonë një risk të lartë që konflikti gjyqësor të riciklohet dhe, e drejta e fituar, të humbasë apo të zhvleftësohet me kalimin e kohës.

Nën këtë kontekst, në vlerësim të Institucionit të Presidentit të Republikës realizimi i një procesi rivlerësimi kalimtar (vetting) për trupën e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat mund të jetë i nevojshëm me qëllim që ai të kryhet paralelisht me rivlerësimin e sistemit të drejtësisë në tërësi, në mënyrë që asnjë pjesë e tij të mos infektojë pjesën tjetër.

Presidenti i Republikës, referuar konstatimeve të mësipërme, e fton Kuvendin e Shqipërisë që të rishikojë nenin 88, pikat 1 dhe 2, me qëllim qartësimin e tyre, si dhe të diskutojë mbi hartimin e dispozitave të plota dhe objektive për realizimin e procesit të rivlerësimin kalimtar të të gjithë trupës së shërbimit përmbarimor gjyqësor privat.

V. Së fundmi, Presidenti i Republikës, konstaton se gjatë procesit të diskutimit dhe miratimit të akteve në kuadër të realizimit të reformës në sistemin e drejtësisë Kuvendi nuk i ka kushtuar të njëjtën vëmendje edhe reformimit të shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.

Siç u parashtrua në pjesën hyrëse të këtij arsyetimi, Presidenti i Republikës, vlerësoi ligjin nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” si një akt pozitiv në drejtim të zhvillimit të shërbimit përmbarimor privat, por nga ana tjetër, Presidenti konstaton se nuk i është kushtuar e njëjta vëmendje reformimit dhe përmirësimit të shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror. Në praktikën parlamentare nuk evidentohet i njëjti vullnet për të përmirësuar cilësinë e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror.

Republika e Shqipërisë, prej më shumë se 10 vjetësh ka funksional një shërbim përmbarimor gjyqësor të dyanshëm që organizohet dhe bazohet në Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror e funksionon sipas ligjit nr. 8730 datë 18.01.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor” dhe Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor të organizuar mbi baza private, që funksionon aktualisht, bazuar në ligjin nr. 10 031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar”.

Këtë dualizëm të ofrimit të dy shërbimeve përmbarimore, e parashikon edhe neni 515 i Kodit të Procedurës Civile, në të cilin citohet:“Urdhri i ekzekutimit vihet në ekzekutim nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, shtetëror ose privat, me anë të përmbaruesit gjyqësor, në bazë të kërkesës së kreditorit”.

Nga studimi i kuadrit ligjor në fuqi që rregullon organizimin e këtyre dy shërbimeve përmbarimore, rezulton se vëmendja ndaj tyre, nuk ka qenë e njëjtë dhe e njëtrajtshme nga Kuvendi i Shqipërisë.

Shërbimi Përmbarimor Shtetëror funksionon ende me ligjin nr. 8730, datë 18.01.2001, mbi të cilin është bërë vetëm një ndryshim në vitin 2016, me ligjin nr.108/2016, ndërkohë që Shërbimi Përmbarimor Privat, që është krijuar me ligjin nr.10031, datë 11.12.2008, “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” brenda një periudhe prej 10 vjetësh ka pësuar katër ndryshime: respektivisht me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009; ligjin nr. 36/2012; ligjin nr. 80/2013, ligjin nr. 109/2016, dhe aktualisht, po shfuqizohet tërësisht me ligjin e ri nr. 26/2019.

Gjithashtu nëse i referohemi praktikës parlamentare, grupi i ekspertëve i nivelit të lartë, pranë Komisionit të Posaçëm të Reformës në Sistemin e Drejtësisë nuk rezulton të ketë paraqitur ndonjë projektakt për përmirësimin e ligjit nr.8730/2001 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor shtetëror”. Me mbylljen e veprimtarisë së Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi u depozituan në Kuvend për shqyrtim, një paketë prej 27-projektligjesh të hartuara nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë vendas e ndërkombëtarë, ku brenda kësaj pakete, nuk përfshihej ndonjë projektligj për ndërhyrje në ligjin e shërbimit përmbarimor shtetëror, ndërkohë që, në planin e veprimit që shoqëroi dokumentin e analizës së sistemit të drejtësisë të hartuar në qershor-korrik 2015, nën objektivin nr.8, parashikohej si masë për tu realizuar rishikimi tërësor dhe i bazuar në të dhëna objektive i mënyrës së funksionimit të shërbimit përmbarimor në Shqipëri, për të cilën parashikohej miratimi i ndryshimeve të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor privat dhe shtetëror”.

Edhe nëse i referohemi gjendjes së analizuar nga grupi ekspertëve të nivelit të lartë është konstatuar se shërbimi përmbarimor gjyqësor privat në qershor 2015 numëronte rreth 230 përmbarues gjyqësorë privatë të certifikuar, prej të cilëve 150 aktivë, ndërkohë që shërbimi përmbarimor shtetëror kishte 57 përmbarues gjyqësorë. Pra, edhe për nga numri i përmbaruesve, këto dy shërbime paraqesin diferenca të mëdha për sa u takon kapaciteteve të burimeve njerëzore.

Është përgjegjësi e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë që të kujdeset për përmirësimin e njëtrajtshëm të legjislacionit për të dy këto shërbime përmbarimore (shtetërore dhe private), në mënyrë që cilësia e veprimtarisë së tyre të ofrojë mundësisht të njëjtin standard të trajtimit me ligj, pasi në të kundërt, nëse një prej këtyre shërbimeve do të kishte një bazë ligjore të shëndoshë dhe tjetri jo, është e pashmangshme një situatë favorizuese ndaj njërit (privatit) dhe, në këtë mënyrë, cilësia e shërbimit ndaj qytetarit në shërbimin përmbarimor shtetëror do të krijonte problematikë, për shkak të pamundësisë për të operuar me një legjislacion që nuk i përgjigjet kërkesave të kohës.

Në mënyrë të natyrshme, është e drejta e qytetarit që të orientohet gjithmonë e më shumë drejt një shërbimi më cilësor, që mund të ofrojë shërbimi privat; por ndërkohë, është përgjegjësi e autoritetit publik kur kërkesa për të marrë shërbim publik përmbarimor zbehet, për shkak të mos përkujdesjes ndaj këtij shërbimi me të njëjtin vullnet. Funksionimi i shërbimit përmbarimor shtetëror me një bazë ligjore që nuk i përgjigjet zhvillimeve të kohës e bën atë të pamundur për të operuar dhe për të ofruar në treg të njëjtat shërbime, sipas kërkesave të tregut. Përcaktimi i një politike të qartë dhe të shprehur mbi këtë çështje është detyrë e organeve shtetërore që ushtrojnë autoritetin rregullator mbi të dy këto shërbimeve.

Nisur nga kjo, Presidenti i Republikës, gjen rastin t’i drejtojë këtë mesazh qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në realizimin e nismës ligjore për përmirësimin e legjislacionit që rregullon veprimtarinë e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, për ta sjellë atë në të njëjtat standarde të parashikimit ligjor me ato të Shërbimit Përmbarimor Privat, në mënyrë që të nxisë edhe konkurrencën midis tyre në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit dhe rritjes së nivelit të ekzekutimit të titujve ekzekutivë.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe, në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” me qëllimin që Kuvendi të rishikojë jo vetëm nenet 2, pika 2/b; 9 pika 1, 2, neni 12 pika 1, nenet 58-60; nenin 59, pika 4 dhe 88, pika 1, 2, por edhe konstatimet dhe problematikat e evidentuara nga Presidenti i Republikës në këtë dokument arsyetues, që i bashkëlidhet dekretit.

Me respekt,

Ilir Meta

Loading...