Kryetari i PL-së, Ilir Meta, u është drejtuar strukturave me apelin që të bëhen bashkë dhe të tregojnë se kush nuk dëgjon shqiptarët, i ka bërë llogaritë keq.
Meta theksoi se kryeministri Edi Rama sillet si pushtues, ndërsa shtoi se pa u konsultuar me qytetarët, tjetërsoi Sheshin e Flamurit.
Gjithashtu Meta i drejtoi disa pyetje qeverisë për projektin e portit të Vlorës duke kërkuar informacion për financimin dhe afatet e ndërtimit të tij.
Meta: Cila kompani e ka paraqitur? A parashikohet që prona shqiptare të lihet kolateral për marrjen hua në banka? Çfarë masash garantuese janë parashikuar për të ndaluar sekuestrimin nga bankat shqiptare? Sa është financimi i parashikuar i portit të ri në Triport dhe sa është fondi? Do ndërtohet me paratë e buxhetit të shteti apo do të merret një hua tjetër?
Dihet që kjo është qeveri armike e transparencës sepse çdo investim serioz nuk duhet t’i fshihet popullit. Interesi i kësaj qeverie është vetëm të vjedhë. Janë bërë shumë investime në Vlorë shumica e të cilave të dështuara si ato rrugët që bie një vesë shi dhe bëhet Vlora si Venecia. Gjithçka bëhet nga Tirana dhe askush nuk mban përgjegjësi.
I vetmi interes i kësaj qeveria dhe Kryeministrit është të vjedhë me oferta të pa kërkuara, të qepura sipas interesave të tij dhe klientelës që e rrethon.
Tjetërsimi i Sheshit të Flamurit, nuk janë akte të rastësishme, janë të qëllimshme për të vrarë ndjenjën kombëtare, krenarinë për historinë dhe për të zhbërë në mënyrë të programuar vendin tonë. Nuk ka Vlorë pa vlonjatë, sado të vijnë nga Bangladeshi, por s’do na çojnë ata në Europë, ndaj kam një apel për gjithë vlonjatët, për të rinjtë, të bashkohemi në mënyrë t’i tregojmë të gjithëve që kush nuk dëgjon shqiptarët, padyshim që i ka bërë llogaritë shumë keq, sepse Vlora është toka e lirisë, por dhe e dinjitetit kombëtar, nuk duron dot Vlora që askush të sillet si pushtues këtu dhe të cënojë interesat dhe të rrëmbejë pronat strategjike duke dëmtuar interesin publik.
Kam shumë besim tek ju dhe ne do punojmë në mënyrë më gjithëpërfshirëse për të mirën e gjithë shqiptarëve.