Ilir Meta uron shqiptaret

Pak orë nga ndërrimi i viteve, shqiptarët i ka uruar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Përmes një mesazhi të shpëndarë në rrjetet sociale, Meta thotë se duhet ndërtuar një dialog i qëndrueshëm, i shëndetshëm dhe i gjithanshëm mes nesh, duke uruar të lihen pas vështirësitë, pamundësitë, ndasitë dhe konfliktet e vazhdueshme të vitit që po mbaron.
“Të dashur motra e vëllezër shqiptarë! Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta”, shkruan Meta.

Në vitin 2019, Meta uron realizimin e dëshirës së madhe të hapjes së negociatave me BE-në.

“Uroj që viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të të gjithë shqiptarëve ‘ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, duke na ftuar gjithësecilin prej nesh të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm! Gëzuar Vitin e Ri 2019! Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin! Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!”.

Loading...