Ilirët popull që besimin në zot e kishin mbi gjithçka! – Ilirët besonin në zotin e Diellit që ishte mbi gjithçka dhe pastaj në atë të erës, të detit, të pyllit…

Ilirët besonin në zotin e Diellit që ishte mbi gjithçka dhe pastaj në atë të erës, të detit, të pyllit etj.

Ilirët kanë qenë një popull që besimin në zot e kishin mbi gjithçka, besimi në zotët e tyre sigurisht…
Perënditë ilire e kanë prejardhjen nga dy burime të pavarura: nga panteoni patriarkal i ardhësve indoevropianë dhe nga besimi paraindievropianë i banorëve mesdhetarë të Ballkanit perëndimor.

Në panteonin ilir që rezultoi nga ndërveprimi dhe shkrirja e atyre besimeve mbizotërojnë figura indoevropiane dhe temat mitologjike indoevropiane. Shprehje madhore e pjesëmarrjes së komponentit paraindoevropian në këtë panteon është prania në të e figurës dhe kultit të “Nënës së Madhe” ose “Nënës tokë”.

Perënditë ilire ne i njohim kryesisht nëpërmjet mbishkrimeve të kushtimit në të cilat, shumë herë, gjendet edhe “interpretimi romak” i funksionit të perëndisë, që do të thotë identifikimi i atyre perëndive me analoget e mbase edhe ne homologet e tyre në panteonin latin e grek.

Herë të tjera studiuesit i kanë identifikuar ato duke u bazuar në interpretimin mitologjik e gjuhësor të mbishkrimit të kushtimit dhe burimeve të autorëve të lashtë e nganjëherë dhe duke gjurmuar transformimet që kanë pësuar figurat hyjnore të ilirëve në mitologjinë e shqiptarëve.

Nga rreth 30 emra perëndish ilire që dalin në burimet e lashta, në një zonë që përfshin tërë Ballkanin perëndimor, të banuar në lashtësi nga ilirët dhe ndër fiset ilire të Italisë së jugut, tanimë janë identifikuar me një shkallë të lartë sigurie një numri i konsiderueshëm i tyre.

Në këtë punim paraqiten edhe hipoteza lidhur me funksionin e perëndive të tjera ende të paidentifikuara të panteonit ilir. Njohja e funksionit të shumicës së perëndive të ilirëve do të bënte të mundur hedhjen e një hapi fillestar për rikonstruktimin e e panteonit të ilirëve… (Perëndi dhe mitolegjema Ilire, fq.29,Nelson Çabej)

Disa nga perënditë janë këto:

Perëndia Nesti

Emër lumi ilir, po edhe emri i një hyu sikelik të kultit të ujit te Mesapët, në Italinë e Jugut. Këtë emër e përdor filozofi agragantinas Empedokli, sigurisht duke u mbështetur në besimin popullor mitologjik ilir, e përdor për të quajtur elementin ujë të kozmogonisë. Për këtë hyjni ka shkruar P. Kreçmeri, po gjithashtu e përmend edhe Eqerem Çabej.

Empedokli e përdor emrin e Nestit të paktën që në shekullin V para erës sonë, por kulti i këtij hyu do të ketë qenë formuar shumë kohë më parë.

Ajo që të bën përshtypje është se emri i këtij hyu nuk gjendet vetëm në Italinë e Jugut, por edhe në viset e mirëfillta ilire. Kështu, Skylaksi dhe Stefan Bizantini përmendin lumin Nestos, si një qytet me këtë emër, si dhe fisin ilir të Nestëve.

Perëndia Jon

I biri i Dyrrahut. E kemi thënë se miti ilir e bën ate eponim të detit, shpjegim ky i ndryshëm nga ato të mitologjisë greke dhe romake. Ky është një mit që te iliret zotëron një hapësirë shumë të madhe të një deti që u përket shumë popujve të ndryshëm të Ballkanit dhe të Gadishullit Italik.

Pra, miti i Jonit hyn në raporte mitologjike e gjeografike ndërkombëtare. Stefan Bizantini ka shkruar dhe për një bir të Jonit, të quajtur Hellopi. Siç e kemi thënë dhe më sipër, tërë legjenda e Jonit i përket territorit të llirisë së Jugut dhe të Epirit ilir. Fotografia e legjendës përfshin një hapësirë shumë të madhe.

Perëndia Medauri

Ishte hyu ilir i luftës. Edhe ky shumë i rëndesishëm. Një qendër e kultit të Medaurit është Rizoni, por ndoshta dhe varret monumentale në Selcën e Poshtme ku janë të skalitura atributet e hyut, siç janë mburoja ilire me rrathët e saj koncentrike karakteristike dhe përkrenarja. Gjithashtu, këto atribute dalin edhe në numizmatike. Edhe për këtë hy kemi një paraqitje ikonografike.

Ai është një hy kalorës. Paraqitet i hipur ne kalë, me shtizën në dorën e majtë. Në skenën e njohur të paftesë së Selcës së Poshtme, në fakt, të kalorësi (që ka pas shpinës gjarprin dragua) kemi Medaurin. Në këtë skenë kulti i Medaurit është i lidhur me kultin e ujërave (figura e gjarprit – monstër detar, e peshkut etj.) pra me kultin e vetë Redonit.

Nuk dimë me saktësi midis këtyre hyjnive: kanë paritet apo marrëdhënie hierarkike midis tyre. Një gjë është e sigurt: të dyja këto hyjni kanë bashkëjetuar dhe kanë qenë në krye të vendit në panteon.

Në lidhje me natyrën e hyut kalorës Medaur duhet thënë se studiues të ndryshëm kanë parë në të një variant ilir të kultit të “kaloresit trak” ose dhe të “kalorësve danubiane”.

Ka edhe mendime se në skenën me dy kalorës përballë, si të pafta e Selcës së Poshtme apo në brezat e Gostilies duhen pare dhe prototipat më të vjetër të Kultit të Dioskurëve, që paraqiten ikonografikisht si kalorës.

Medauri në realitet ka identitet ilir. Ai është një hy i veshur me armaturë tipike ilire, ndryshe nga kalorësi trak, – kalorësit e stelave danubiane apo Dioskuret, kalorës të Dorëve.

Perëndia Vidasus

Vidasusi, në besimin e ilirëve ishte perëndi që mbronte pyjet, burimet dhe fushat. Në monumente ai paraqitet i shoqëruar nga gruaja e tij, Thana. Në Topusk, në Kroaci, pranë një burimi uji mineral janë gjetur katër altarë kushtuar këtij çifti. Në të njëjtën krahinë janë gjetur gjithashtu mbeturinat e një faltoreje kushtuar Silvanit si dhe shumë altarë të tjerë me emrin e kësaj hyjnie romake.

Duke u bazuar në këtë fakt, mitografët kanë arritur në një përfundim të drejtë se Vidasusi në besimin ilir kishte atribute të ngjashme me ato të hyjnisë romake Silvan-mbrojtësin e burimeve, të pyjeve dhe të fushave, kurse Thanën e kanë identifikuar me hyjneshën romake Diana.

Vidasusi dhe Diana adhuroheshin shumë nga pjesa më e madhe e popullsisë ilire, sidomos nga ata që merreshin me blegtori, si Dalmatët.

Vidasusi ka qenë hyjni supreme e ilirëve në panteonin ilir prandaj zinte një vend shumë të rëndësishëm.

Por kulti i Vidasusit, Silvanit gjeti adhurues edhe në shtresat e ulëta popullore të Romës dhe të Italisë. Ai u përhap edhe në provinca të largëta të perandorisë.

Medauri dhe Redoni kanë emra etnikisht ilirë.

Perëndia Redon

Hy qendror, ndoshta më kryesori te ilirët e periudhës qytetare e të lulëzimit të shtetit ilir. Për të ruhet dhe rafigurimi ikonografik në formën e një djaloshi me një kapele të tipit “kausia”, të dhënë në profil. Portreti shoqërohet me figurën e lembës ilire e me delfinin si atribute të hyjnisë.

Kështu është dokumentuar në monedhat e Shkodrës dhe të Lisit, karakterin e përcaktimin e këtij hyu e bëri arkeologu H. Ceka.

Është hyu zyrtar, me sa duket suprem i shtetit ilir të kohës së Gentit. Mbas shkatërrimit të shtetit ilir, kulti i Redonit mbijeton në territoret bregdetare e dëshmohet edhe në shekujt e parë të erës sonë.

Kemi hedhur mendimin se nuk është vetë hyu i detit, por diçka më shumë dhe patjetër ka qenë lidhur dhe me kultin e familjes mbretërore ilire jo vetëm të kohës së Gentit, por edhe më përpara.

Fakti që emrin e këtij hyu e gjejmë dhe si toponim gjeografik te Kepi i Redonit, në veri të Durrësit, lë të mendosh se këtu duhet të kërkojmë edhe një vend kulti të tij ndoshta të hapur, në natyrë.

Perëndia Boa

Hyjni ilire në formë gjarpri në Epidaur. Kulti i tij ka mbijetuar deri në shekullin IV të erës sonë. Këtë hy gjarpër populli vendas e quante pikërisht me këtë emër (Hieronimi në ” Vita Hilarionis”, lib.9, shënon “quos gentili sermonte Boas vocant” – “që populli në gjuhën e vet e quante Boa”).

Perëndia Bindi

Hy kryesor i fisit ilir të Japodëve. I janë kushtuar disa altare votive, që janë gjetur pranë burimit të përroit Privi afër Bihaqit të sotëm.

Në mbishkrime identifikohet me hyun romak të detrave Neptunin (“Bindo Neptuno savrum”). Në fakt, më shumë se hyu i detit, Bindi është mbrojtës i burimeve dhe i ujërave.

Për nder të tij sakrifikoheshin cjep.

Perëndia Tato

Për këtë hyjni të nderuar në trevat dardane flet Mate Suiçi si për një Deus Patrius. Z.Miridita emrin Tato e lidh edhe me emrin epikorik Tatonipol. Në të sheh edhe lidhjen me hyjninë lindore Attis ose dhe me kultin e kalorësit trak.

Në shtyllëzat mbivarrore të Durrësit del shpesh në shekujt ll-l p.e.s. emri Tato si ilir.

Perënditë Thana dhe Vidasi

Një çift hyjnor ilir që është rafiguruar në disa monumente të bëra nga ilirët. Katër altare votive me mbishkrime i janë kushtuar këtij çifti e janë gjetur në Topusko. Emrat e këtyre hyjnive janë, me sa duket, emra ilire.

Thana është hyjneshë me atribute të Artemisit apo Dianës.

Vidasi ka atributet e hyut të këtij binomi kultik janë edhe vepra të vërteta të artit ilir; ato kanë veshje ilire dhe një stil karakteristik vendas.

Perëndia Dyrrah

Nipi i Epidamnit. E lindi Melisa, bija e Epidamnit, me hyun e detit. Në krahasim me gjyshin, Dyrrahu edhe lindjen e ka gjysmë të hyjnizuar. Këtu me rëndësi është e dhëna që jep Stefan Bizantini se më përpara me emrin Dyrrah është quajtur gadishulli ku u ndërtua fillimisht qyteti. Më pas, në një dorë të dytë ndërtimi, limani i poshtëm i qytetit u quajt Dyrrah. Me kalimin e kohës, mbas një bashkëjetese të emrave, emri Dyrrah u bë sundues (çka ka mundësi të jetë edhe refleks i një binomi të kultit të Epidamnit e të Dyrrahut njëkohësisht; më tej emri Dyrrah u bë përfundimtar. Theksojmë origjinën e kultit të Dyrrahut nga bota e mitologjisë detare, siç ka ndodhur më shumë legjenda të tjera ilire.

Perëndia Epidamn

Hero-kulti i taulantëve, të cilët e mbajnë si themelues të qytetit, në të vërtetë përpara ardhjes së kolonistëve Dorë të vitit 627 para erës sonë. Legjenda e jep si mbret të “barbarëve” (kupto: “taulantëve”), që u kultëzua si krijues jo vetëm i qytetit, por edhe i gjenealogjisë legjendare të dinastisë mbretërore ilire me qendër qytetin dhe me arealin e tij të gjerë.

Në këtë rast kemi një hero vendas, jo një hyjni në kuptimin e vërtetë të fjalës. Krijimi i kultit të tij është në natyrën e krijimit të miteve të heronjve, të hyjnizimit të kultit të të parëve.

I njëjti proces ka ndodhur në krijimin e shumë legjendave ilire.

Kështu, Stefan Bizantini shënon legjendën e emërtimit të liburneve sipas një heroi me emrin Liburn, legjendën e emërtimit të Ambrakisë sipas Ambrakut, të birit të Thesprotit të Laokonit (në një variant të dytë nga Ambrakia, vajza e Egjeut), të mbiquajtjes së krahinës së molosëve Afeidantës nga mbreti Afeidas, i Hellopisë nga Hellopi, i biri i Jonit (një legjendë tjetër shënon se Hellopia quhej dhe krahina rreth Dodones molose e banorët e saj quheshin helloi dhe selloi), të qytetit të Efyras nga emri Efryrit, të birit të Amarakut të Thesprotit, të qytetit Lynkos të Epidamnit është tipologjik për këto lloj legjendash.

Ky kult dokumentohet i fortë edhe në kohën kur qyteti quhej me emrin Dyrrah, sepse është zbuluar një monument i një personi me pushtet në këtë qytet në shekullin II të erës sonë, që quhej Syr Epidamni, në emrin e të cilit Leon Hezej me të drejtë sheh një jehonë të kultit të stërgjyshit legjendar ilir, të themeluesit të parë.

Prokopi i Gazës në “Panagjerikun” kushtuar perandorit të Bizantit Aleks Durrsakut, me origjinë nga ky qytet, thotë shprehimisht se këtu “lindi heroi vendas, qe i dha emrin qytetit”.

Pra, në shekullin V e VI është i gjallë kulti i Epidamnit. Bile deri në shekullin XI Ana Komnena e përmend jehonën e këtij emri me atribute mitologjike./njekomb

Loading...