Një Imam në Kosovë është vendosur nën akuzë , pasi dyshohet se ka dhunuar brutalisht partneren e tij.
Mësohet se Imami Behar Mjekiqi është denoncuar të mërkurën për dhunë ndaj të dashurës së tij, me inicialet E.J.
Pasditen e djeshme, kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq dyshohet se e ka larguar viktimën, me të cilën kishte lidhje dashurie, me dhunë nga shtëpia e tij në fshatin Mazgit. Dyshohet se ai e ka shtyrë, e ka rrëzuar në tokë dhe e ka tërhequr atë zvarrë drejt oborrit të shtëpisë.
Pasi e ka nxjerrë me dhunë nga shtëpia, imami Mjekiqi ia kishte marrë telefonin viktimës E.J. duke i shkaktuar lëndime në të dy duart.
Dosja e përpiluar në ditën kur kishte ndodhur ngjarja përshkruan sjelljen e dhunshme të imamit Mjekiqi ndaj viktimës.
Raporti konstaton se E.J. është shqiptare, shtetase e Maqedonisë së Veriut, dhe me të, imami nga Obiliqi është në lidhje dashurie prej disa vitesh dhe të dy “kanë jetuar me njëri-tjetrin kohë pas kohe”. Mjekiqi e ka pranuar para hetuesve policorë se është në lidhje me viktimën E.J. qe së paku tre vjet. Viktima, ndërkaq ka thënë se lidhja e tyre është e gjatë së paku gjashtë vjet.
Sipas raportit, E.J. kishte ardhur në shtëpinë e imamit Mjekiqi në Mazgit të Obiliqit të dielën më 18 dhjetor.
Në ditën e tretë të qëndrimit në shtëpinë e imamit, ajo është larguar me dhunë nga shtëpia, thuhet në raportin informues të Policisë së Kosovës. Imami Mjekiqi, i intervistuar nga policia të martën, e ka pranuar se e ka larguar viktimën nga shtëpia, por ka mohuar të ketë përdorur dhunë ndaj saj.
Mjekiqi, po ashtu ka thënë se ndihet i kërcënuar nga E.J.
“Më tutje i dyshuari pohon se arsyeja pse unë dua ta largoj nga shtëpia është se ndihem i kërcënuar nga E.J. sepse me ka kërcënuar se do ta kalli shtëpinë, do ta mbys djalin”, thuhet në raportin e policisë për rastin.
Siç shpjegohet në raport, E.J. ka thënë se imami Mjekiqi, gjatë kohës kur e kishte larguar dhunshëm nga shtëpia, e kishte marrë revolen e tij në dhomën ajo ndodhej, mirëpo nuk “është kanosur nga i dyshuari”.
Policia ka konstatuar se i dyshuari posedon autorizim për mbajtje të armës./ Express