Impianti fotovoltaik i Akërnisë, shpallet kompania fituese

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi sot përfundimin me sukses të procedurës të hapur konkuruese për përzgjedhjen e ofertuesit për zhvillimin e projektit për ndërtimin e impiantit fotovoltaik në Zonën e Akërnisë (Vlorë).

Impianti parashikon një kapacitet gjenerues të instaluar 50 MW si pjesë e masave mbështetëse dhe ndërtimin e kapaciteteve të tjera shtesë prej 50 MW (100 MW në total), të cilat do të jenë lirisht të tregtueshme në tregun e energjisë.

“Procedura konkuruese u zhvillua në përputhje të plotë me Vendimin nr. 349, datë 12.06.2018 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e masave mbështetëse për nxitjen e përdorimit të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme të diellit dhe erës, si dhe të procedurave për përzgjedhjen e projekteve për përfitimin e tyre”, nëpërmjet një gare të hapur ndërkombëtare, të shpallur në 6 gusht 2018, nga e cila në datën 17.09.2018, u paraqitën zyrtarisht gjashtë oferta”, thuhet në njoftimin e MIE-s.

Në fazën finale të vlerësimit, u kualifikuan 3 ofertues, ku sipas procesit të vlerësimit, oferta që u vlerësua me më shumë pikë si kombinim i besueshmërisë teknike, financiare, eksperiencës së ngjashme, çmimit dhe kapaciteteve shtesë të instaluara, ishte oferta e paraqitur nga bashkimi i shoqërive India Power Corporation ltd e rregjistruar në Indi, Mininig Resources FZE, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Midami Limited, e regjistruar në Hong Kong.

Theksojmë se kompania lider e konsorciumit India Power Coporation LTd, është një nga kompanitë më të mëdha energjetike të Indisë, me eksperiencë 100-vjeçare, me kapacitete të instaluara prej 1500 MW, që përfshin kapacitetet të prodhimit të energjisë termike, erës dhe energji diellore dhe e zotëruar nga Grupi Kanoria Foundation, një konglomerat ekonomik indian me një portofol asetesh prej 15 Miliardë USD, duke krijuar besueshmërinë e nevojshme për përmbushjen e këtij projekti.

Projekti do ketë vlerën prej rreth 70 milionë euro dhe do të krijojë mundësi të shumta punësimi. Ky projekt do të jetë një hap i rëndësishëm në diversifikimin e burimeve të energjisë në Shqipëri dhe do të hapë gjithashtu rrugën për krijimin e Shqipërisë si një qendër të energjisë diellore në rajon.

Oferta e shpallur fituese, siguron një çmim energjie për 50 MW me një vlerë prej 59.9 Euro/MW për 15 vite dhe një kapacitet shtesë prej 50 MW (100 MW në total) pa mbështetje për blerje energjie. Afati i zbatimit të investimit është 18 muaj.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson si sukses rezultatet e këtij ankandi pasi ka arritur të sigurojë një nga çmimet më të ulëta në rajon për këtë lloj teknologjie, (Greqia 63 Euro/MW dhe Turqia 62 Euro/MW), më e ulët se çmimet mesatare të importit në vendin tonë, dhe një kapacitet shtesë në 50 MW, duke e bërë këtë ofertë shumë të leverdishme për tregun energjetik në vend. Kjo konfirmon edhe njëherë besimin në zhvillimin e tregut energjetik shqiptar dhe klimën e investimeve në vend.

Ministria do të fillojë menjëherë negocimin e kontratës me qëllim zbatimin sa më parë të projektit të Akërnisë. Rezultatet e këtij procesi na inkurajojnë për zhvillimin e kapaciteteve shtesë në prodhimin e energjisë diellore duke zhvilluar ankande të ngjashme në një të ardhme të afërt, në zona të tjera të Shqipërisë që ofrojnë potenciale të mira për prodhimin e energjisë diellore./atsh

Loading...