Kreu i Kishës Katolike të Shqipërisë, Imzot George Frendo, doli sot në një deklaratë për mediet në lidhje me situatën në vend, ndërsa u bëri thirrje palëve politike të bëjnë paqe dhe të ulen në dialog, përndryshe do të mbajnë përgjegjësi për dëmin që do i shkaktojnë vendit.
Frendo iu bën thirrje palëve politike të marrin shembull nga harmonia fetare në vend.
“Të dashur përfaqësues të popullit shqiptar! Edhe një herë ju drejtohemi me shpresën që dialogu të mos mbetet në shkretëtirë, por të gjejë jehonë në zemrat dhe mendjet tuaja. Gjatë ditëve të fundit kemi lexuar shkrime. Të gjithë shprehin shqetësimin e madh për këtë situatë duke menduar se do të përkeqësohet. Do jeni ju shkaku i pasojave të rënda që qëndrimi juaj do të shkaktojë. Historia do ju bëjë përgjegjës. Në emër të Zotit ju lutemi të kërkoni një zgjidhje paqësore për këtë situatë për të shmangur rrezikun që e keqja të na çojë në një të keqe më të madhe”, tha Frendo.
Sipas tij, “nuk ka paqe, nëse nuk ka drejtësi”. “Hapni një kapitull të ri në politikë. Harroni fjalët e rënda që ju kanë thënë kundërshtarët, planet me të cilat kishin menduar të sulmonit atë. Asnjë shqiptar nuk do ju qortojë që nuk keni mbajtur fjalën nëse arrini të kërkoni një rrugë të ndryshme nga ajo që keni ndjekur deri më sot”, – vijoi ai.
Shqiptarët, tha Imzot Frendo, “kërkojnë një rrugë të ndryshme nga ajo që mund të na çojë drejt një humnere”. “Politikanët duhet të kërkojnë zgjidhje paqësore për këtë situatë. Duajeni Shqipërinë më shumë se partitë. Besimet fetare kanë harmoni, e politika nuk duhet të përçajë popullin shqiptar. Zoti iu dhëntë guxim për të gjetur rrugën e drejtë dhe të paqes”, – tha ndër të tjera Imzot Frendo. /atsh