Ministria e Mbrojtjes dhe e Inteligjencës së Ukrainës pohuan të premten se presidenti rus, Vladimir Putin, ka “urdhëruar përgatitjen e një sulmi terrorist” në centralin bërthamor të Çernobilit.
Ndonëse ishte e pamundur të konfirmohej akuza, siç raporton The New York Times, zyrtarët ukrainas kanë lëshuar paralajmërime të tjera të rrepta për vendet ku gjencen termocentralet bërthamore, shkruan lajmi.net.
Këtë javë, për shembull, ukrainasit paralajmëruan për rreziqet e shkaktuara nga humbja e energjisë elektrike në Çernobil, edhe pse ekspertë të pavarur, teksa ishin të shqetësuar, thanë se nuk shihnin ndonjë rrezik të menjëhershëm.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar shpesh për mundësinë e ngjarjeve të “flamurit të rremë” në të cilat rusët mund të organizojnë sulme dhe të përpiqen t’i fajësojnë Ukrainën.
Çernobili ka qenë nën kontrollin e forcave ruse që në ditët e para të luftës dhe ministritë ukrainase thanë në deklaratën e tyre të premten se tani besonin se diversantët rusë kishin hyrë në fabrikë duke u paraqitur si punëtorë riparimi elektrik.
“Ata do të përpiqen të krijojnë një katastrofë të shkaktuar nga njeriu në termocentralin bërthamor të Çernobilit të kontrolluar nga Rusia, dhe më pas të akuzojnë Ukrainën për katastrofën”, thuhet në deklaratën e inteligjencës ukrainase. /Lajmi.net/