Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, humbi ditën e djeshme motrën e tij, Kadrie Kadare, e cila ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare.
Ajo ishte e njohur jo vetëm se ishte motra e shkrimtarit tw njohur, por edhe sepse twrhiqte vwmendje me karakterin e saj.
Gjithë jetën single, një qenie e lirë, që nuk ngjante me gratë e kohës së vet. Politikisht e lirë. Madje, kishte vendosur në një rast në pozitë të vështirë edhe vëllain e vet të shquar gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës, duke folur “mbarë e mbrapsht” për këtë të fundit, gjë që atë kohë ishte një gjë që mund të të kushtonte shumë.
Më poshtë, po japim pjesë nga një intervistë e tij dhënë gazetares së News24 dhe BalkanWeb, Fatmira Nikollit, në vitin 2017.
– Për thashetheme të jetës intime të shefave?
Po, për jetën intime, gjë për të cilën unë, duke e ditur se sa e rrezikshme ishte dhe sa pasoja kishte, nuk e flisja as me shokët e ngushtë. Papritur del motra ime e përzier në një bisedë të tillë. Jam i sigurt që e kanë bërë qëllimshëm, e kanë futur qëllimisht për ta përdorur kundër meje.
– Ju keni thënë se “shteti kishte gati arkivolin për mua”, pra edhe kjo, përfshirja e motrës suaj në një bisedë për çështje intime të diktatorit mund të përdorej kundra jush?
Sigurisht. Sepse motra ime ishte një njeri i thjeshtë. Gjithë komplikimi i saj vinte nga unë dhe ajo desh më mori më qafë, derisa lejonte të përfshihej në këto biseda e, më tej as të mos më lajmëronte, kur e pësuan shoqet e saj. Të merrja një masë, të mbrohesha e të sqarohesha.
– Një pjesë e publikut kupton kushtet, në të cilat u shkrua letra, një pjesë tjetër mund të mendojë se ju e hodhët në flakë motrën tuaj për të shpëtuar veten. Kjo letër mbronte motrën tuaj apo ju dhe atë?
Unë, jo vetëm e mbrojta më këtë letër, por është e vetmja mbrojtje e saj. Në atë që unë them se ka qenë e ç’ekuilibruar psiqikisht, ishte e vetmja mbrojtje që unë mund t’i bëja. Motra ime nuk u fut në burg as dy vjet, as pesë vjet për shkak të kësaj, sepse mbrojtja e parë në çdo sistem gjyqësor në botë, sisteme diktatoriale apo jo, është të thuash se personi nuk është në rregull mendërisht, se është i paaftë mendërisht dhe për këto arsye, pra, nuk është i përgjegjshëm për ato që thotë. Kjo është mbrojtja e çdo krimineli apo vrasësi dhe për mua kjo ishte e vetmja mënyrë për ta mbrojtur atë dhe jo vetëm atë.
– Të kthehemi te letra. Pse ju drejtuat vetë diktatorit dhe jo dikujt tjetër?
Mendova se ishte më mirë t’ia vija në dukje sunduesit ç’kishte ndodhur, pa e marrë në mbrojtje motrën dhe absolutisht i ndërgjegjshëm, jo vetëm për ta shpëtuar atë, por me atë letër gjithë afera binte, i ulej rëndësia. E gjitha shfryhej, quhej një budallallëk, siç në të vërtetë edhe ishte, sepse të flasësh dhe t’i japësh rëndësi këtij thashethemi për jetën personale të shefit, do të thotë të krijosh një rrezik të kotë. Nuk ishte kjo fatkeqësia e Shqipërisë dhe s’kishte të bënte me hallet e saj.
– Jeni penduar që e keni bërë letrën?
Nuk jam penduar fare. Unë nuk isha përzier kurrë në atë thashethem, pra, nuk kisha marrë pjesë, nuk e dija dhe nuk fshihja asgjë. Unë dija aq sa di sot. Kuptoj se ka njerëz që janë marrë me këtë dosje të fshehtë, të llahtarshme.
– E keni shkruar vetëm, keni pyetur njeri? Në çfarë situate e keni shkruar?
Vetëm krejtësisht. Kam biseduar me Helenën, me siguri, sepse nuk lija asgjë pa biseduar me të. Madje, as nuk e kam korrigjuar. Nuk kam bërë dy a tri kopje, sepse nuk duhej. Nuk kisha as ku ta shtypja dhe e dërgova të shkruar me dorë.
– Keni marrë përgjigje për këtë letër nga Enver Hoxha?
Jo, nuk më ka kthyer përgjigje.
– Këto ditë shtypi vazhdon të shkruajë për historinë e letrës suaj. Mendimi i përgjithshëm është se ju, ndoshta bezdiseni nga zhurma të tilla. Si është e vërteta?
Bezdisje apo jo, e vërteta qëndron midis të dyjave. Bashkë me dilemën e përhershme: a është mirë që të ketë gjithmonë një sqarim të gjërave? Sqarimi qëllon që e zmadhon zhurmën dhe shumë njerëz parapëlqejnë heshtjen. Nga ana tjetër, një personazh ka një lloj përgjegjësie përpara publikut, në fund të fundit, në gjuhën shqipe fjala përgjegjësi, ashtu si në gjuhët kryesore të Europës, vjen nga fjala “përgjigje”. Pra, përgjigjja gjithashtu është e nevojshme.