– Intervistë me mjekun anestezist reanimator të Spitalit Rajonal të Vlorës, zotin Edmond Breshanaj-
Koranavirusi COVID-19, tashmë është temë e ditës, orës, minutës dhe sekondës. Është temë e ditës për çdo shtet të madh apo të vogël, i pasur apo i varfër, për çdo organizëm ndërkombëtar, për çdo individ i çfarëdo moshe, gjinie, race, statusi qoftë. Besoj se sot, falë edhe mediave dhe teknologjisë celulare, nuk ka individë të mos dijë, të paktën në vija të përgjithshme se çfarë është ky virus, si merret, simptomat e shfaqjes dhe si duhet të mbrohemi për t’u mos infektuar. Ky virus u shfaq fillimisht në Wuhan të Kinës më 31 dhjetor 2019. Megjithëse me shumë të panjohura, ai na la kohën e nevojshme të mendonim për të, por gjithkush, edhe shtete më të fuqishme të Evropës e më gjerë menduan se Kina është larg. Tashmë koronavirusi ka mbërthyer botën dhe me të drejtë më 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, shpalli pandeminë botërore. Nëse Kina, pas tre muajsh lufte dhe izolimi, ka mundur ta fitojë betejën me të, disa vende të Evropës, sidomos Italia, por edhe Spanja e ndonjë tjetër, po e paguajnë shtrenjtë me jetë njerëzish, edhe pse të një moshe të madhe.
Shumë shtete po investojnë me urgjencë në fushën e shëndetësisë. Shkenca mjekësore botërore është në alarm dhe në kërkim të gjetjes së vaksinës shëruese, por që duhet kohë deri në kryerjen e testit dhe aprovimin e saj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas statistikave më të fundit, rreth 187 vende të botës janë prekur nga kjo epidemi, rreth 339000 njerëz janë infektuar, rreth 14700 njerëz kanë vdekur dhe rreth 99000 të shëruar. Në vendin tonë, që nga data 9 mars, që u identifikua pacienti zero, numri i të infektuarve ka arritur në 89, nga 804 të testuar, të vdekur 5, që trajtohen në spital 43 pacientë dhe të shëruar 2.
Qeveria me të drejtë ka vënë alarmin dhe ka shpallur gjendjen e luftës. Me masat drastike që ka marrë dhe merr nga dita në ditë, kërkon që numri i të prekurve të jetë sa më i vogël. Të sëmurëve në spital u jepet ndihma e duhur shëndetësore. Mjekët dhe infermierët e Spitalit Infektiv të Tiranës dhe të qyteteve të tjera me stafet e tyre mbështetës, po kthehen në heronj të vërtetë. Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura po ndihmojnë në zbatimin e rregullave të vendosura për kufizimin e qarkullimit të njerëzve e mjeteve. Strukturat e pushtetit lokal, ushtria dhe vullnetarë po shpërndajnë ndihma familjeve në nevojë dhe çifteve të të moshuarve. Mediat, nëpërmjet specialistëve të shëndetësisë, po mundohen të sensibilizojnë mbarë opinionin shqiptar mbi zbatimin e rregullave të higjienës personale, të mos grumbullimit dhe zbatimit me rigorozitet të rregullave të vendosura. Qeveria nëpërmjet Aktit Normativ alokoi fonde në përgjigje të kësaj situate. Thirrjes së qeverisë dhe kryeministrit, zotit Edi Rama “Qëndroni në Shtëpi”, “Zbatoni oraret e lëvizjes, se në rast të kundërt do të keni sanksione të forta”, pjesa më e madhe e popullsisë i është përgjigjur pozitivisht dhe është në mbështetje të plotë të këtyre masave.
Një pjesë e mirë e qyteteve nuk janë prekur ende nga ky virus, përfshi edhe Vlorën, e cila për vetë pozitën gjeografike është qytet transit për lëvizje hyrje e dalje drejt Italisë. A është kjo rezultat i masave të marra dhe zbatimit me rigorozitet të tyre, le ta shohim si do të jetë gjendja në ditët në vijim, pasi zyrtarisht nuk ka të konfirmuar, edhe pse në disa portale qarkullojnë se ka. Megjithatë bashkinë e Vlorës e shikojmë në ballë të punëve, duke nisur nga dezinfektimi i rrugëve e lagjeve kryesore, në gatishmërinë e sistemit shëndetësor, furnizimin e popullatës e në përpjekjet për respektimin e zbatimin e orareve të ndalim qarkullimit.
Por për të marrë një panoramë më të plotë rreth këtij virusi, masave që duhen marrë dhe disa këshilla për popullatën e qytetit, atyre që banojnë në fshat, e sidomos për të moshuarit e ata me probleme shëndetësore, iu drejtuam mjekut anestezist reanimator në Spitalin Rajonal të Vlorës, zotit Edmond Breshanaj, i cili edhe pse i angazhuar në këto ditë plot ngarkesë, me kënaqësi e në respekt të qytetarëve të tij dhe jo vetëm, pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të mëposhtme. Le ti ndjekim.
1. Doktor Mondi, tashmë me konavirusin COVID-19, i cili ka prekur pjesën më të madhe të globit, janë njohur të gjithë, megjithatë nisur nga profesioni juaj si mjek, ndonjë gjë më shkencore rreth këtij virusi, a mund të na tregoni?
Corona virusi ose cov-2 2019 është një virus i klasës se retroviruseve shkaktar i pandemisë së sotme. Ky emërtohet më saktë SARScov-2 d.m.th. sindromi respirator akut i rëndë në dallim nga SARS cov 1 që shkaktoi epideminë në vitet 2002-2003 në Azi. Ky virus është një mutacion i virusit cov 1, por me efekte më agresive, ai infektoi rreth 8000 veta dhe vdekshmëri 10 përqind. Duhet të dimë që në materialin gjenetik të njeriut ka rreth 8 përqind virus, gjë që lot rol në funksionet normal të organizmit sidomos në inteligjencën e tij.
2. Ky virus në shumicën e qyteteve të Shqipërisë, përfshi edhe Vlorën, për fat të mirë deri tani nuk është përhapur, a thua se u morën në kohë masat e duhura?
Duke u nisur nga përvoja e Kinës, që bëri bllokim të plotë për të eleminuar kontaktet e njerëzve, sensibilizimin në media, besoj do të jap efekte pozitive. Ky virus përhapet me spërkla nga teshtitja, pështyma në tokë dhe nga duart në krahasim me sars cov1, që ishte nëpërmjet ajrit.
3. Me sa kemi parë, bashkia veç të tjerash ka marrë masa për dezinfektimin e rrugëve të qytetit, mendon se kjo masë ndikon në mospërhapjen e virusit?
Bashkia Vlorë e ka vlerësuar situatën dhe ka dezinfektuar të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore, ambientet përreth pallateve, të gjitha objektet social/kulturore për ta reduktuar sa më shumë shkallën e infeksionit. Gjithashtu dhe furnizimi me ujë ka qene i mire për të mbajtur një higjienë të lartë. Kjo më shumë edhe për faktin se kryetari i bashkisë është mjek dhe ka një vlerësim më real.
5. Qeveria nga dita në ditë nxjerr rregulla të reja lidhur me lëvizjen e njerëzve në rrugë dhe u bën thirrje qytetarëve të saj “Mos dilni nga shtëpia” e plot kufizime të tjera, a mendon se janë të nevojshme?
Kufizimet e lëvizjeve ulin numrin e të infektuarve. Kjo shpjegohet nga ana epidemiologjike, një individ pozitiv infekton 2.5 të tjerë dhe për 30 ditë shkon në 406 njerëz. Nëse ulet lëvizja me 50 përqind kjo shkon në 15 njerëz, në se ulet me 75 përqind infektimi ulet 1.5 njerëz. Kjo gjë tregon pse duhet distancimi social.
6. Me aq sa mund t’i kesh vrojtuar banorët e Vlorës, a po i zbatojnë këto rregulla?
Banorët e qytetit të Vlorës janë ndërgjegjësuar për t’i zbatuar të gjitha rregullat duke u nisur nga zhvillimet në vend dhe vendet e tjera. Ditët e para kishte shkelje, por ne vazhdim ka zbatim më korrekt. Janë eliminuar vizitorët në spital, mbajnë maska dhe dëgjojnë me vëmendje këshillat e mjekëve.
7. Ju si mjek këto ditë në punë, apo të izoluar si gjithë banorët e tjerë?
Unë si mjek jam përditë ne spital i angazhuar me problemet e specialitetit tim si anestezist reanimator në problemet e urgjencave që ka komuniteti, gjithashtu dhe si anëtar i Taskë Forcës ngritur për menaxhimin e rasteve të rënda duke qenë Shef Shërbimi, pjesa tjetër në shtëpi duke zbatuar karantinën si gjithë banorët.
8. Vetë Spitali i Vlorës, ku ju jeni edhe mjek, a ka marrë masat e duhura për t’i paraprirë çdo nevoje, nëse do të ketë të infektuar nga ky virus?
Që në momentin e parë kur u shfaq rasti pozitiv në si staf morëm të gjitha masat, vlerësuam kapacitet e reanimacioneve në repartin infektiv, patologji, reanimacion kirurgji ku është intensiv, pajisëm të gjithë shtretërit me sisteme oxigjenimi, vendosëm respirator në infektiv, urgjencë pasi të gjithë të sëmurët me covid 19 do të transferohen në Tiranë. Tani jemi gati për çdo situatë.
9. Në rast se do të ketë raste të rënda, do të trajtohen në spitalin e Vlorës, apo do përcillen për trajtim më të specializuar në Tiranë?
Të gjitha rastet do të trajtohen në Tiranë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtës Sociale ka përcaktuar Spitalin Infektiv, Sanatoriumin dhe Spitalin Kirurgjikal të vjetër dhe nëse do ketë situata të tjera do vendoset në vazhdimësi për trajtimi e rasteve.
10. Ju si mjek anestezist, në rast se do të ketë të shtruar nga prekja e koranavirusit, do të jeni pjesë e stafit mjekësor që do të trajtojnë të sëmurët?
Anestezist reanimatorët janë pjesë e ekipit të trajtimit në repartet e reanimacionit të pacienteve rëndë dhe me respiracion mekanik. Ata janë më të kërkuarit sot si përherë. Ne jemi të gatshëm në roje të shëndetit të njerëzve.
11. Nga çfarë thonë mediat, sidomos specialistët e shëndetësisë, por edhe ju si mjek, sa mendohet të zgjasë kjo epidemi? Kur mendoni që në Vlorën tonë të qarkullojmë lirshëm, aq më tepër që jemi në pritje të çeljes së sezonit të plazhit?
Rastet e para në Shqipëri u zbuluan në datën 9 mars, prandaj duhet të kalojnë 30 ditë, që të duket trendi i të infektuarve. Deri ne 3 prill besoj se do të duket diçka për të dhënë ndonjë perspektiv për ecurinë e mëtejshme. Kur numri i rasteve të reja të jete më i vogël se i të shëruarve, atëherë bie kurba e infeksionit. Besoj se sezoni i plazhit në këtë kohë të ngarkuar do të jetë i vonuar. Kjo gjendje e rënduar mund të lerë edhe pasoja psikologjike tek njerëzit, duke sjellë dhe një dozë paniku. Sidoqoftë ne si popull do të gjejmë forca të ngrihemi mbi dobësitë, duke besuar në vazhdimësinë e jetës.
12. Le t’i kthehemi pak fshatit në përgjithësi e sidomos vendlindjes, Kallaratit, banorët e atjeshëm, a janë të rrezikuar të preken nga ky virus njësoj si në qytet, apo për vetë kushtet, disi ndryshe, janë më pak të rrezikuar?
Banoret e fshatit nga ku virus janë më të mbrojtur, sepse komuniteti është i vogël, komunikimi me qytetin e populluar është i reduktuar, kjo edhe për shkak të kufizimit nga qeveria të lëvizjeve. Ajri i pastër dhe klima janë faktorë pozitiv për ta, por edhe ata duhet të zbatojnë me përpikëri rregullat e shpallura nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.
13. Nga përvoja e deritanishme sidomos në Kinë e Itali, rezulton se të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore janë më të rrezikuarit, çfarë do t’iu këshilloje bashkëfshatarëve të tu të kësaj moshe, të cilët përveçse i njeh nga afër, pak a shumë u di edhe ecurinë e problemeve të tyre shëndetësore?
Nga të dhënat e epidemisë në Kinë dhe Evropë preken më shumë moshat e treta, kryesisht me sëmundje kronike të mushkërisë si, asthma, bronkiti kronik, sëmundje të zemrës, hypertensioni, sëmundje ishemike të saj, diabeti melitus, por dhe mosha më të reja poshtë 60 vjeç, që kanë sëmundjet e mësipërme ose sëmundje të tjera invalidizuese, si pas kalimit te insulteve cerebral, operacioneve në zemër etj. Këshilla ime si mjek është të marrin ilaçet rregullisht, të eliminojnë kontaktet me të tjerë dhe të zbatojnë rregullat e higjienës, të mos kenë frikë, por kurajo në këtë kohë të vështirë.
14. Po për të gjithë banorët, pavarësisht moshës së tyre, cili do të ishte mesazhi juaj për kalimin e kësaj situate me sa më pak probleme?
Të gjithë të rrinë në shtëpi, të eliminojnë kontaktet në maksimum, të zbatojnë rregullat e higjienës dhe të kenë besim se kjo situatë do të kalojë duke mos kaluar në panik.
15. Për kolegët mjek e infermier të Spitalit Infektiv në Tiranë dhe në qytete të tjera, që përballen çdo ditë me të infektuarit nga koronavirusi, keni ndonjë mesazh të veçantë për ta?
Sot më shumë se kurrë kërkohet mobilizim total për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme, duke menaxhuar me sukses rastet si në terren ashtu edhe në spital. Stafet mjekësore gjate kësaj kohe do të privohen shumë nga koha e tyre e lirë dhe në shërbim të familjes, por kjo gjë do t’ia vlej sepse do të shpëtojnë jetë njerëzish. Ne si përherë do të jemi në mbrojtje të shëndetit, pasi është një lufte totale, të cilën duhet ta fitojmë.
Faleminderit dhe punë të mbarë në detyrën Tuaj fisnike në mbrojtje të shëndetit dhe jetës së njerëzve!
Intervistoi: Besnik GJONBRATAJ
22.03.2020