Zv.kryeministri Erion Braçe bëri të ditur se po vijojnë investimet në segmentin e dytë Fier i Ri/Ngurrez e Vogël/Imshte.
“Unaza bujqësore Qerret–Imshte nuk është veç unaza bujqësore e jugut të Lushnjës, por është edhe urbanizim i të gjithë fshatrave ku kalon Qerret, Lifaj, Fier i Ri, Ngurrëz e Vogël dhe Imshtë”, -tha Braçe.
Sipas zv.kryeministrit Braçe në të gjitha këto lagje po investohet në kanalizime të ujërave të bardha, kullim, trotuare dhe ndriçim.
“Dy vite më parë këto fshatra ishin njolla në harta, kaq. Për të shkuar në to edhe pse afër duhej minimumi një orë. Sot Imshta ka jo vetëm dy rrugë për të mbërritur në fshat, por çdo lagje e saj është e asfaltuar, me trotuar dhe shpejt me ndriçim”, – deklaroi Braçe.
Ai informoi se po punohet edhe për të ndërtuar rrugën Imshtë-Verri për të çliruar edhe veriun e Fierit./atsh