Ne do të kryejmë investimin më të madh që është bërë në 30 vite bashkë për universitetin nga pikëpamja e infrastrukturës”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Gjatë prezantimit të Portalit të Transparencës Universitare, Rama u ndal te procesi që ka nisur tashmë i bashkëpunimit mes ministrive dhe universitetit që sipas tij, “krijon këtë sinergji dhe do të na japë mundësinë të zhvillojmë këtë program financimi masiv”.
“Ne spostuam hapësirën fiskale që kishim për rrugën Thumanë-Kashar, një nga veprat më komplekse dhe të kushtueshme, në funksion të Paktit për Universitetin dhe infrastrukturës së universiteteve”, – tha Rama.
Kryeministri siguroi se “deri në fund të këtij mandati do të kemi një kantier në çdo fakultet apo universitet të vendit, në aspektin e përmirësimit të infrastrukturës, laboratorëve dhe mjeteve të tjera didaktike”.
Paralelisht, tha Rama, po punojmë me infrastrukturën e konvikteve dhe brenda kësaj periudhe do të rindërtojmë të gjitha konviktet duke i sjellë në një standard shumë më të mirë se standardi ku ishin, kur studentët ngritën shqetësimin e tyre.
“Ne kemi një ndërveprim pozitiv me universitetet dhe po krijojmë të gjitha dosjet e nevojave dhe projekteve për universitetet, që do të thotë që jemi gati pak a shumë që të rikthehemi përsëri në universitete për të treguar se çfarë kemi bërë dhe për të informuar se cila është faza tjetër”, – tha Rama.
Ai informoi se deri në fillim të vjeshtës do të hartohet plani konkret i finalizimit të projekteve dhe njëkohësisht do të avancohet për të bërë projekte aty ku mungojnë. /j.p/