Të gjithë e njohin si Irisi i Ilirisë – Iris Illyrica, një lule e familjes botanike Iridaceae me vendlindje në tokat historike të Ilirisë së lashtë.
Irisi Ilir është një nga dëshmitë më të bukura të kësaj zone të famshme ballkanase që mbulon Shqipërinë, Kroacinë, Kosovën, Bosnjën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe disa zona të Serbisë.
Irisi Ilir edhe sot e kësaj dite rritet në gjendje të egër dhe natyrale në të njëjtat pllaja si edhe mijëra vite më parë dhe provon trashëgiminë e famshme të të parëve të shqiptarëve.
Ilirët e lashtë e konsideronin Irisin një bimë mjekësore me vlera të shumta për një sërë problemesh shëndetësore përfshirë dhimbjet e kokës.
Bima e Irisit Ilir besohej gjithashtu të kishte aftësi të nxiste abortin. Pjesë të kësaj bime janë përdorur në lashtësi kundër djersës dhe në përgatitjen e parfumeve.
Bima rritet deri në 40 centimetra lartësi. Lulëzon nga Maji në Qershor dhe ka nevojë për dritën e diellit. Kërkon një tokë me lagështi mesatare, pjellore dhe të kulluar mirë.
Kjo bimë prodhon fara shumë rrallë. Zakonisht prodhon dhjetë fara që piqen në vjeshtë.
Bima e egër Ilire besohet të ketë qenë pikënisja e shumë varieteteve të kultivuara të Irisit që sot zbukurojnë kopshtet dhe hapësirat tona në verë dhe pranverë.
Historianë të lashtë shpjegonin që Irisi më i mirë vjen nga Iliria e lashtë.
Në Mesjetë, kultivuesit e kësaj bime kaluan përtej Adriatikut e rritën atë edhe në Itali.
Zona e Firences së lashtë kishte Irisin si simbol të saj- në mburojat e tyre ushtarët mbanin një Lili të bardhë ose Iris – gjë që tregon se qyteti ishte i famshëm për rritjen e këtyre luleve të ardhura nga brigjet e përtej Adriatikut.
Bima në fjalë mban emrin e perëndeshës së ylberit “Irisit” dhe si rrjedhojë lulja ka një bukuri dhe ngjyra të pashoqe.
Në lashtësi, Irisi ishte një simbol i fuqisë dhe madhështisë. Tre petalet e Irisit ishin simbole të besimit, zgjuarsisë dhe trimërisë.
Kultivimi i kësaj lule ka rezultuar në zbulimin e disa varieteteve të Irisit me reputacion të lartë për vlerat medicinale. Rrënjët e thata të Irisit përmbajnë një vaj esencial me aromë vjollce.
Ato përdoren në parfume, pastë dhëmbësh dhe produkte të tjera kozmetike si dhe në krijimin e një potpurie erëzash me aromë të shumëfishtë.
Rrënja e thatë e Irisit ka veti anti-inflamatore dhe si rrjedhojë përdoret për të shëruar problemet me fytin dhe dhimbjet e kokës nga sinoziti.
Metodat e përgatitjes dhe doza e caktuar
Rrënja e thatë e Irisit përdoret për të ruajtur aromën në pudra dhe produkte kozmetike të bëra në shtëpi.
Historikisht, njerëzit e kanë konsumuar rrënjën e thatë të Irisit në formë pluhuri ose si infusion nëpër tretësira. Por në kohët moderne, përdorimi i rrënjës së thatë të Irisit është tërësisht kozmetik.
Vaji i Irisit përdoret duke përdorur pluhurin e rrënjës së thatë të Irisit në avull.
Ky vaj ka një aromë intensive dhe shumë delikate të vjollcës së freskët dhe kushton shumë shtrenjtë.
Përdoret për përgatitjen e aromave më luksoze, por edhe parfumeve me bazë vjollce.
Ekstraktet e Irisit kanë aftësinë të forcojnë aromën e elementëve të tjerë që përdoren në krijimin e një parfumi. / AgroWeb.org