Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka folur në lidhje me situatën politike në vend.
Shehu u shpreh gjatë një interviste televizive se Shqipëria ndodhet përballë një “grushti shteti”, ndërsa hodhi akuza të forta në adresë të kryeministrit, Edi Rama.
Teksa komentuar konstituimin e këshillit bashkiak në Shkodër, ish-deputeti demokrat tha se qytetarët duhet të kenë një reagim më të fortë kundër qeverisë “Rama”.
“Situata është në një moment shumë të vështirë, jo vetëm në Shkodër. Unë e kam cilësuar si një grusht shteti në zhvillim. Një farsë votimi, e cila nuk përfaqëson asgjë dhe ajo është nuk. Kemi dy dekrete të Presidentit. Dekretet e Presidentit janë në fuqi.
Kjo është e vërteta e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë. Janë elementë që po e bëjnë më të rrezikshëm situatën. Opozita dhe PD ka protestuar për të ruajtur kushtetutshmërinë. E gjithë Shqipëria është një betejë e hapur.
Shkodra është një pjesë e betejës dhe kjo betejë po zhvillohet për ligjshmërinë dhe në mbrojtje të demokracisë për t’iu përgjigjur grushtit të shtetit. Duhet qëndresë popullore për ta frenuar këtë revansh. Me këtë situatë vendi nuk do të hyjë në BE.
Dje ishte një etapë në luftën e madhe që bën PD në ruajtjen e demokracisë. Etapa të tilla janë bërë edhe në rrethe të tjera.
Nga ndërkombëtarët ka reagim. Unë mendoj se ndërkombëtarët janë të preokupuar, por më parë duhet të reagojnë shqiptarët. Duhet një lëvizje e madhe popullore dhe goditëse”-tha Shehu./ Opinion.al