Zyrtarë të Doganës së Hungarisë kanë sekuestruar 23 kg marijuanë, në një autobus, i cili po vinte nga Kosova. Me anë të një postimi në Facebook, dogana e Hungarisë ka bërë të ditur lajmin dhe mënyrën e fshehjes së sasisë së marijuanës.
Dogana ka treguar se lënda narkotike ka qenë e fshehur brenda disa thasëve të mbushur me speca. Ndërkohë në autobusin nga Kosova ndodheshin dy shoferë dhe 24 pasagjerë.
“Personeli ynë ka gjetur më shumë se 23 kilogramë marihuanë, deri sa po kontrollonte autobusin nga Kosova në Röszke. Dy shoferët dhe 24 pasagjerët nuk deklaruan mallra e tyre doganore,“-thuhet në njoftimin e Doganës së Hungarisë.
Ndërsa sipas autoriteteve doganore vlera e drogës në tregun e zi përllogaritet me 160 mijë euro.