Kryeplaku i fshatit Remanicë të Beratit, Edison Hëna ka ndërruar jetë nga Covid-19. Babai i 3 fëmijëve kishte mbërritur në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Berat në 5 mars, në gjendje të rënduar. Pas ekzaminimeve dhe skanerit të kryer, mjekët e spitalit të Beratit e kanë dërguar 50-vjeçarin me urgjencë me ambulancë në Spitalin Infektiv Covid-1 në Tiranë.
Mësohet se gjendja e 50-vjeçarit Edison Hëna është përkeqësuar dhe prej disa ditësh ai ndodhej në intubim. Me gjithë përpjekjet e mjekëve,50-vjeçari nuk ka mundur dot ta fitojë betejën me koronavirusin dhe humbi jetën mbrëmjen e djeshme.
50-vjeçari Edison Hëna ishte kryeplak i fshatit Remanicë dhe këshilltar në këshillin bashkiak të ish-komunës Velabisht. Të shumta kanë qenë mesazhet e ngushëllimit në rrjetet sociale nga miqtë e kolegët e 50-vjeçarit,që e përshkruajnë si një njeri të rregullt dhe familjar. Edison Hëna është përcjellë sot për në banesën e tij të fundit nga familjarët, miqtë e të afërmit.