Policia ka zbatuar një urdhër për masa arresti ndaj 7 anëtarëve të familjes shqiptare që jeton në Sale Marasino (Brescia). Ndaj 5 prej të cilëve është rivendosur masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa dy gra janë vendosur nën arrest shtëpiak.
Problemet me drejtësinë të familjes shqiptare Sallaku në Itali nuk kanë të sosur. Disa pjesëtarë të saj, janë arrestuar sërish nga policia.
Arrestimi i tyre erdhi pas gjetjes së armëve të zjarrit dhe municioneve të fshehura në një vilë luksoze në brigjet e liqenit Iseo.
Urdhri kufizues lëshuar nga gjykatësi hetues i Gjykatës së Brescias, buron nga arrestet e ekzekutuara më 5 nëntor 2018, kur si rezultat i një kërkimi të kryer në vilën luksoze të Sale Marasino, policia gjeti një çantë me tre armë të ndryshme dhe municione të fshehura në garazh.
Nga aksioni më herët, mbetën në burg Taulant dhe Saimir Sallaku, të akuzuar si pjesë të një bande kriminale, i përbërë nga qytetarë shqiptarë dhe italianë, të akuzuar për shitjen e sasive të mëdha të drogës.
Në vendimin e gjykatësit, thuhej se në krye të bandës ishte Saimir Sallaku, i arrestuar më 18 tetor 2018, i cili u ndalua në zonën industriale të Piancamuno menjëherë pas shitjes së 1 kg kokainë në favor të dy blerësve lokalë italianë.
Me gjithë arrestimet, policia nuk ndali hetimet për armët e gjetura atëherë, ku për praninë e tyre u tha se kishte dijeni vetëm Saimir Sallaku.
Në bazë të këtyre hetimeve, u lëshua urdhri i ri për masat parandaluese, me të cilat arrestimi shtëpiak u rivendos gjithashtu për dy gratë e familjes.