Itali/ Grushte dhe shishe kokës, festa kthehet në arenë boksi

Dhjetë persona u përfshinë në sherr masiv brenda ambienteve të një diskoteke në Itali.

Edhe pse ishte llogaritur se gjithçka do të shkonte e qetë dhe me plot argëtim, diskoteka La Grotta di Artegna në provincën e Udine u shndërrua në një skenë dhune agresive, e denjë për “filmat aksion”. Ka qenë ora dy e natës, kur festa eskaloi duke i lënë vendin përplasjeve fizike, ndërsa në mesin e të plagosurve raportohet edhe për shqiptarë.

Mediat fqinje raportojnë se fillimisht gjithçka nisi nga fjalët, ndërsa më pas skena degjeneroi në ofendime të rënda e më pas në dhunë të fortë fizike me mjete të forta, ku u përdorën edhe shishet e pijeve që ishin në ambientet e diskos.

Një i ri shqiptar me banim në Friuli, u godit në kokë me shishe dhe për pasojë u dërgua me urgjencë në spital. Ai pësoi dëmtime të rënda dhe çarje të thella në trup.

Tre persona të tjerë, një punëtor shqiptar që banon në Tavagnacco, një punonjës 20-vjeçar nigerian dhe një picajol 26-vjeçar gjithashtu me kombësi shqiptare u arrestuan nga autoritetet italiane, ndërsa janë marrë në pyetje për gjithçka ndodhi në diskotekë. Policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Loading...