Itali – Papa Francesku mbush sot 82 vjec!

Mbush sot 82 vjec Papa Francesku!

Është ditëlindja e gjashtë, që feston në Vatikan, që nga koha e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Nga e gjithë bota mbërrijnë vazhdimisht urime, njofton Vatikani.

Kanë kaluar 82 vjet nga ai 17 dhjetor i vitit 1936, kur në Buenos Ajres të Argjentinës, u lind Jorge Mario Bergoglio. Bij emigrantësh piemontezë, kur ishte fëmijë thoshte se kur të rritej, do të bëhej kasap. Ishte i apasionuar pas këngës dhe e kishte zakon të dëgjonte çdo javë në radio një emision me muzikë lirike, së bashku me të ëmën dhe me vëllezërit. I ati i mësoi rëndësinë e punës. Vërtet, Papa i ardhshëm bëri punë të ndryshme dhe u diplomua si teknik kimik.

Thirrja e Zotit

Por horizonti më i rëndësishëm i jetës së tij është, pa dyshim, feja, ushqyer nga gjyshja, Rosa Margherita Vassallo. Në vitin 1958, Jorge Mario Bergoglio hyri në noviciatin e etërve jezuitë. Në atë periudhë, qe e rëndësishme për fenë e tij një infermiere, murgesha Cornelia Caraglio, e cila i shpëtoi jetën, duke e bindur mjekun t’i jepte dozën e duhur me antibiotikë, për të kuruar bronkopolmonitin. Këtë “grua të mirë, të guximshme deri sa të diskutonte edhe me mjekët”, 3 marsin e kaluar, Papa Françesku e falenderoi publikisht, gjatë takimit me një delegacion infermierësh.

Meshtaria

Në vitin 1969, Bergoglio u shugurua meshtar. Atë ditë, gjyshja i dha një letër, që e kishte shkruar për gjithë nipat e vet. I riu Jorge Mario e ruajti në librin e lutjeve. Në të shkruhet: “Të keni një jetë të gjatë të lumtur. Por, nëse ndonjë ditë, dhimbja, sëmundja, ose humbja e njerëzve të dashur do t’ju shkurajojnë, kujtohuni se një psherëtimë para Tabernakullit, ku është martiri më i madh e më mbretëror e, një vështrim drejt Marisë, që rri në këmbët e kryqit, mund të pikojë një sumbull balsami edhe mbi plagët më të thella e më të dhimbshme”.

Kryeipeshkëv i Buenos Ajres

Në vitin 1973, atë Bergoglio u emërua epror provincial i jezuitëve të Argjentinës. Më 1992, e gjejmë kryeipeshkëv të Buenos Ajresit, primat të Argjentinës. Në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal. “Sot paradite – pohoi shenjti i ardhshëm Vojtila, në atë rast – Roma ‘katolike’ shtrëngohet rreth kardinajve të rinj, në një përqafim të ngrohtë, me vetëdijen se po shkruhet një faqe tjetër e rëndësishme e historisë së saj dymijëvjeçare”. Ishte preludi i një faqeje tjetër historike: asaj, që në vitin 2003, e shkruajti vetë Papa – i pari, ardhur nga Amerika; i pari, jezuit.

Zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit

Pas dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, kardinali i atëhershëm erdhi në Romë për Konklavin. Por fati i kishte rezervuar jo vetëm diskutimet për mënyrën e mbarështimit të Kishës nga një papë i ardhshëm. Më 13 mars 2013, ai vetë u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, si “Papë i ardhur nga fundi i botës”. Gjatë vizitës në një famulli romake, më 19 shkurt 2017, një fëmijë e pyeti pse u bë Papë. “Ai që zgjidhet – u përgjigj Bergoglio – nuk është pa tjetër, më inteligjenti”. “Por është ai, që Zoti dëshiron në atë çast për Kishën”. Si Papë, zgjodhi emrin e Françeskut. Pak ditë pas zgjedhjes, në takimin me gazetarët, shpjegoi se e mori atë emër, duke menduar për shën Françeskun e Asizit, “njeri i varfërisë, njeri i paqes, njeri, që e do dhe e ruan gjithësinë e krijuar nga Zoti”. E pikërisht në këto drejtime, përmes gjesteve e shkrimeve si enciklika “Lëvduar qofsh”, përvijohet edhe sot papnia e Françeskut.

Loading...