Itali – Protestë për klimën, një milion të rinj në sheshe: “Na shkatërruat mushkëritë”

Një milion të rinj kanë mbushur 180 sheshe të Italisë në mbështetje të aksionit për klimën, të frymëzuar nga aktivistja suedeze Greta Thunberg. 

“Na shkatërruat mushkëritë”, ishte motoja e protestuesve të mobilizuar nga Milano deri në Napoli.

Në të gjithë botën, “Të premtet për të ardhmen” kanë nisur të marrin formë, e vendi ynë fqinj është bërë dhe ai pjesë e kësaj iniciative në rritje.

Tubimet më të mëdha ishin ato në Romë e Milano, me 200 mijë vetë që kanë mbushur rrugët e secilit qytet.

Kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala u bashkua dhe ai me demonstruesit, sepse siç tha “ndan me ta të njëjtin motivim e shqetësim”. 

“Në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtjen e ambientit, nuk jemi rivalë, por aleatë”, u shpreh kryebashkiaku.

Organizatorët e manifestimit të Romës thanë se në Piazza della Repubblica nuk ishte parë ndonjëherë një grumbullim i tillë njerëzish.

“Ky është absolutisht tubimi më masiv i të gjithë viteve të fundit”, u shprehën ata.

Protesta pati në një sërë qytetesh të Italisë, përfshirë Firencen, Palermon, Bolonjën e Barin.

Loading...