Itali – Shqiptarja i vë flakën vetes,shpëtohet nga një avokat

Një grua shqiptare me banim në Rimini të Italisë tentoi të vriste veten duke u djegur sot rreth orës 10:00, në ambientet e gjykatës.

58-vjeçarja hipi në verandën e katit të parë të gjykatës dhe nisi të bërtiste se nuk mund të vazhdonte më pasi ligji në Itali nuk funksionon.

Menjëherë më pas ndezi çakmakun dhe u përpoq t’i vinte flakën xhaketës që mbante veshur.

Pasi dëgjoi të bërtiturat e dëshpëruara të shqiptares, një avokat që gjendej në një seancë gjyqësore iu afrua për të kuptuar se çfarë po ndodhte.
Avokati tregoi për mediat italiane se, gruaja bërtiste mes flakëve se vetëm vdekja mund t’i sillte drejtësi.

Ai nxitoi t’i fikte flakën me duar, duke marrë disa dëmtime të lehta.

Më pas, gruaja shqiptare bëri të ditur se të gjitha denoncimet që kishte bërë ishin arkivuar.

Si pasojë, vajza e saj vazhdonte të ishte e detyruar të prostituonte. Zemërimi dhe dëshpërimi e shtynë drejt aktit ekstrem dhe mund të kishte vdekur nëse avokati nuk do të kishte mbërritur në kohë.

Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, ambulanca dhe policia. Gruaja raportohet të ketë marrë djegie të shkallës së parë dhe ndodhet në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk është bërë i ditur identiteti i 58-vjeçares shqiptare.

Loading...