Italia ka nisur marrjen e masave për të shmangur një situatë dramatike për shkak të koronavirusit. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se autoritetet në Lombardi të Italisë do të zbatojnë orën policore, teksa rajoni po përballet me rritje të pranimit të pacientëve në spitale.
Kufizimet do të zbatohen nga ora 23:00 deri në 05:00 dhe pritet të hyjë në fuqi nga e enjtja. Qendrat tregtare të mesme dhe të mëdha do të qëndrojnë të mbyllura gjatë fundjavës.
Masat në Lombardi, ku infeksionet e koronavirusit po rriten përsëri pasi rajoni ishte goditur rëndë nga vala e parë e pandemisë, u kërkuan pasi ekspertët thanë se pranimi i pacientëve në njësitë e kujdesit intensiv mund të kapërcejnë deri në 600, ndërsa numri aktual është 113.
Lombardia regjistroi të hënën 1,687 raste të reja me COVID-19, numri më i lartë ditor mes 20 rajoneve të Italisë.