Italianëve u lejohet të dalin në parqe, për herë të parë në dy muaj

Në Itali, të hënën (4 maj) fillon zbatimi i masave lehtësuese të izolimit.

Në dy muajt e fundit ky vend ka qenë nën izolim të plotë për shkak të përhapjes së koronavirusit të ri.

Parqet dhe fushat e lojërave do të hapen.

Vrapimi dhe çiklizmi në natyrë do të lejohen, mirëpo njerëzve do t’u duhet të mbajnë një distancë prej të paktën një metër.

Asnjë tubim nuk do të lejohet dhe njerëzit nuk mund të largohen nga rajonet e tyre, përveç në raste urgjence, raporton AFP.

Italia e regjistroi vdekjen e saj të parë në fund të muajit shkurt. Deri më tani nga sëmundja COVID-19 kanë vdekur 28.710 njerëz.

Më shumë se 209,000 u infektuan me koronavirusin e ri, sipas të dhënave nga Universiteti Amerikan Johns Hopkins.

Zyrtarët shëndetësorë udhëzuan qytetarët që të respektojnë masat e tjera sanitare, ndërsa kryeministri italian, Giuseppe Conte, paralajmëroi se masat e kufizimit mund të rikthehen nëse nëse numri i të infektuarve fillon të rritet.

Italianët janë izoluar qysh më 9 mars. Ata janë lejuar të dalin jashtë vetëm për nevoja thelbësore.

Masat e izolimit kanë nisur të lehtësohen pak më 14 prill, me rihapjen e disa dyqaneve të vogla dhe librarive.

Loading...