Ja 10 emrat e propozuar në grupin parlamentar të PD për presidentin e ri, nga Princi Leka II e Halim Kosova tek Dashamir Shehi e Leonard Demi

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike publikoi për herë të parë kandidatët e përzgjedhur për postin e Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e djeshme të 26 deputetëve demokratë u propozuan 10 emra: Jorida Tabaku, Dashamir Shehi, Princi Leka II, Dritan Demiraj, Visar Zhiti, Halim Kosova, Leonard Demi, Arbeni Çejku, Lajla Përnaska dhe Rexhep Uka. Kandidatët e PD zyrtare për drejtuesin e ri të shtetit shqiptar u përmendën nga 9 deputetë. Propozimet e tyre ishin: Ferdinand Xhaferri sugjeroi Leonard Demin;

Flamur Hoxha, Zef Hila dhe Ramadan Lika mbështetën kandidaturën e Arben Çejkut, Bledjon Nallbati u shpreh pro kandidaturës së Dritan Demirajt; Kreshnik Çollaku propozoi 3 emra: Dashamir Shehin, Lajla Përnaskën dhe Jorida Tabakun; Xhelal Mziu sugjeroi emrat e Dashamir Shehit, Rexhep Ukës dhe Halim Kosovës. Propozimi i Princit Leka Zogu II u dha nga Dhurata Çupi. Pas mëse 3 orëve debate, deputetët e PD pranuan të shkurtonin listën e kandidatëve nga 10 në 8 emra duke hequr n/kryetaren e partisë Jorida Tabaku dhe ish-deputeten e Tiranës, Lajla Përnaskën. Ditën e sotme grupi me deputetët e PD do të mblidhet sërish, ndërsa kryetari i përkohshëm i selisë blu Enkelejd Alibeaj konfirmoi për mediat dje se do të diskutojë për kandidaturat e sipërpërmendura dhe me aleatët e tjerë të opozitës.
Si do të procedohet?

Pasi opozita ka marrë konfirmimin nga mazhoranca për të propozuar kandidatët e vet për presidentin në raundin e dytë dhe të tretë, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka përcaktuar procedurën për përzgjedhjen e 1 kandidati që do të votohet në secilin raund. Ai ka propozuar që opozita të përcaktojë 4 emra pretenentë për të pasuar Ilir Metën në krye të Presidencës.

2 nga emrat do t’i lejohen PD, 1 Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe 1 Partisë Republikane. Pas përfundimit të kësaj faze brenda opozitës, PD do të krijojë me Partinë Socialiste një grup të përbashkët me 6 anëtarë. Nga 4 kandidaturat e dërguara të opozitës për t’u votuar për president, do të zgjidhet vetëm 1. Në mënyrë që të legjitimohet votimi për këtë emër, PS dhe PD duhet të sigurojnë 20 firma deputetësh sipas Kushtetutës.
U përmendën dhe Ina Rama, Majlinda Bregu me Neritan Cekën

Sipas mediave, ditën e djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar të PD u përmendën si kandidatë për president ish-Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama; ish-politikani dhe arkeologu i njohur Neritan Ceka dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Kjo e fundit nuk gëzon simpatinë e shumicës së deputetëve demokratë për shkak të konfliktit me ish-kryetarin e PD, Lulzim Basha, i cili nuk e kandidoi për deputete në zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Këto 3 emra nuk arritën të përfshiheshin në listën finale me 8 kandidatura.

Përshkrimi i shkurtër i 8 emrave të përzgjedhur

Dashamir Shehi: Aktualisht deputet i opozitës dhe aleat i PD. Në 1992-1994 drejtoi Ministrinë e Punës, Përkrahjes Sociale dhe ish-të Përndjekurve Politikë. Në periudhën 1994-1996 qe zëvendëskryeministër dhe ministër i Ndërtimit dhe i Turizmit. Njihet si njëri prej kritikëve më të mëdhenj të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Emri i tij është propozuar edhe nga deputetët aleatë të opozitës Fatmir Mediu dhe Agron Duka.
Dritan Demiraj: ish-ministër i Brendshëm në qeverinë teknike të vitit 2017.

Ushtaraku shqiptar me karrierën më të pasur duke u dekoruar me 55 medalje. Ka themeluar dhe drejtuar Forcat Speciale dhe Komando në vitet 2007-2013. Ai u përjashtua nga radhët e Forcave të Armatosura në vitin 2017 nga ministrja e Mbrojtjes së asaj kohe Mimi Kodheli. Më pas, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i dha të drejtë Demirajt për t’u rikthyer në FA me gradën kolonel. Nga ana tjetër, ai ka shërbyer në shumë ushtarake në Irak, Afganistan, etj. Në fushën akademike, ai mban gradën “Doktor i Shkencave per Sigurine Kombëtare” nga Universiteti i Paqes Globale i Kombeve te Bashkuara ne Neë York duke u vlerësuar si njëri prej profesorëve më të mirë në fushat e Mbrojtjes, Sigurisë, Lindjes së Mesme dhe Kundërterrorizmit. Emri i tij si kandidat për president është përmendur përpara se të niste procesi i negociatave për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit shqiptar.

Halim Kosova: Mjek i njohur në fushën e Gjinekologjisë. Ka mbajtur postin e Ministrit të Brendshëm në periudhën prill-shtator 2013. Ka qenë dhe deputet i parlamentit në vitet 2013-2015. Kandidoi për kryetar të Bashkisë së Tiranës në 2015 përballë Erion Veliajt, por humbi. Më herët, kandidatura e tij për president është propozuar në media nga deputetja e PD, Ina Zhupa.

Visar Zhiti: poet, ish-zv/ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në periudhën prill-shtator 2013. I njohur si njëri prej të dënuarëve politik më me emër të diktatoruës komuniste për shkak të poezive të botuara kundër frymës së realizmit socialist. Vuajti 8 vite në burgje në vitet 1979-1987. Ka qenë deputet në vitin 1996 si dhe ka shërbyer si atashe kulturor i Shqipërisë në Romë deri në vitin 1999. Gjatë karrierës së tij, ai dhe ka botuar e përkthyer poezi.

Leonard Demi: Ish-deputet në vitet 2005-2009. Ka përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në NATO.
Rexhep Uka: ish-ministër i Bujqësisë.
Arben Çejku: ish-ambasador i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoni. Ka shërbyer si drejtues politik i PD në qarkun e Kukësit.
Princi Leka Zogu II: Pretendent për fronin e Shqipërisë, nipi i Ahmet Zogut dhe djali i Leka Zogut I.

Loading...