Shqipëria është një vend shpesh i keqkuptuar. Mes Malit të Zi dhe Greqisë shtrihet një parajsë e fshehur, që shumë herë, njerëzit e humbasin ose nuk e dinë se ku ndodhet në hartë. Unë u dashurova me Shqipërinë. Plazhet e saj janë të mëdha dhe njerëzit miqësorë më bënin të ndihesha e sigurt gjatë gjithë kohës. Pse të vizitosh Shqipërinë? Ka shumë për të parë dhe bërë në Shqipëri, shkruan blogerja e njohur neozelandeze, Anita Hendrieka.
Plazhe nga më të bukurit në Europë
Shqipëria ka disa prej plazheve më të bukura që unë kam parë në Europë, madje dhe në botë. Pjesa më e mirë? Edhe pse Riviera Shqiptare është pjesa më turistike e Shqipërisë turmat në to nuk krahasohen me turmat në vendet e tjera të Europës. Kur arrin në Shqipëri drejtoju Rivierës dhe eksploro disa prej parajsave të fshehura që presin të zbulohen. Me ujë blu kristal, plazhe me rërë të bardhë dhe birrë me çmim të lirë, do të jesh më i lumtur për ardhjen këtu, se sa në Korfuz ku do të paguaje trefishin e çmimit.
Plazhe si ai i Ksamilit, Dhërmiut dhe Borshit janë të duhurit për t’u vizituar. Në fakt, të gjitha plazhet mes Ksamilit dhe Vlorës janë shumë të bukur (në këtë zonë gjendet Riviera Shqiptare). Zakonisht ka linja autobusi midis plazheve, por mos u mundo të gjesh një fishë oraresh online. Më mirë pyet vendasit dhe më pas ndiq rrjedhën.
Njerëzit janë jashtëzakonisht mikpritës
Në udhëtimet në botë kam takuar njerëz shumë të dashur, por shqiptarët më kanë habitur. Nga 20 burrat që bërtisnin dhe vraponin pas autobusit të cilin po e humbisja e deri tek vendasit që më mirëprisnin dhe më thoshin se ishin të lumtur që kisha zgjedhur Shqipërinë për të udhëtuar. Çdo njeri që kam takuar ishte miqësor. Edhe pse shumica e njerëzve të cilët i pyesja për orientim nuk flisnin asnjë fjalë anglisht ata gjithmonë më drejtonin tek njerëz që flisnin ose që mund të më jepte rekomandime për vendet që duhen vizituar në Shqipëri e tjerë.
Shqiptarët të ndihmojnë dhe janë shumë mikpritës gjithashtu. Besimi është shumë i rëndësishëm për shqiptarët kështu që mund të mbështetesh tek ata nëse të duhet diçka. Ata janë gjithashtu shumë bujarë! Prisni të trajtoheni si mbretër dhe të keni sasi të pafund rakie.
Shqipëria ka shumë kështjella të bukura dhe vende historike
Ka vende të trashëgimisë së UNESCO-s, kështjella të bukura dhe fortesa të lashta të shpërndara në të gjithë vendin. Butrinti me rrënojat romake që datojnë 2000 vjet më parë së bashku me Beratin dhe Gjirokastrën, të cilat gjithashtu janë vende të UNESCO-s që duhen vizituar patjetër.
Historia është mahnitëse
Shqipëria ka kaluar nëpër momente të errëta, dhe ata ende vuajnë shumë nga e kaluara e tyre. Vendi ishte nën regjimin komunist për 47 vjet. Gjatë asaj kohe, shqiptarët u kontrolluan në gjithçka. Ishte vendi i parë ateist në botë në vitin 1967, pasi të gjitha fetë u ndaluan në epokën komuniste. Nëse dëshironi të mësoni më shumë dhe të kuptoni më mirë historinë, mos harroni të shkoni të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Ka karakter, shumë karakter
Nga të gjitha vendet ku shkova në Europë, them se Shqipëria ka më shumë karakter. Unë nuk mendoj se kam qeshur me veten time më shumë në Shqipëri. Duke vizituar qytetin e Shkodrës, ndihesha sikur kisha udhëtuar prapa në kohë. Do të ndiheni kështu në të gjithë Shqipërinë. Me të vërtetë duhet të jeni të përgatitur për të shkuar me rrjedhën dhe të mos keni planifikuar shumë për vizitën tuaj në Shqipëri. Nëse do përpiqesh të gjesh kohën kur një autobus niset, dhe sa do të vonojë, do të të them që të ndalosh që tani. Vetëm pyesni vendasit, është mënyra më e mirë. Oraret e autobusit ndryshojnë shpesh, por zakonisht janë të pavërteta.
Vendi ka një personalitet tërheqës. Për ta përmbledhur, një nga shprehjet e mia të preferuara gjatë kohës që isha atje, ishte ”a je?” me një pamje të ngatërruar në fytyrë. Do të të duket sikur po udhëton në kohët e vjetra, por kjo është ndër gjërat pozitive të Shqipërisë. Mos prisni që udhëtimi juaj të jetë i mërzitshëm!
Është super e përballueshme
Duhet të jetë në një nga 3 vendet më të mira kur bëhet fjala për përballueshmërinë. Ju aty mund të blini një litër verë për disa euro ose një vakt kryesor për vetëm shumë pak. Nëse keni një buxhet të reduktuar, ky është vendi i përsosur për të ardhur. Nëse jo, atëherë do të jetoni si mbretër! Një shtrat në hotel mund të kushtojë 5-10 euro, bashkë me mëngjesin. Gjithashtu, një tjetër gjë e mrekullueshme është bollëku i porcionit. Le të themi që ja vlen të shpenzoni paratë tuaja. Shqipëria është parajsë për xhepin tuaj!
Bukuri natyrore
Nga kodrat malore dhe plazhet e bukura së bashku me ujërat e ndritshme, nuk është çudi që Shqipëria është një parajsë për dashamirësit e natyrës. Pjesa më e madhe e Shqipërisë është e mbushur me territore malore duke i dhënë pamje të mrekullueshme dhe shumë mrekulli natyrore.
Është një destinacion i sigurt udhëtimi
Duket se ekziston një keqkuptim ndaj Shqipërisë dhe për fat të keq, shumica e këtij keqkuptimi vjen nga filmi ‘Taken’ dhe filma të tjerë të Hollivudit. Por, le ta shqyrtojmë këtë, shqiptarët nuk janë si në filmin ‘Taken’. Ata janë njerëz jashtëzakonisht të përulur dhe të besueshëm, kështu që ju lutemi të mos i lidhni shqiptarët me trafikantët e seksit nga filmi. Ka njerëz të këqij kudo në botë, pavarësisht nga vendi ku shkon.
Ndjehesha shumë më e sigurt në Shqipëri sesa në qytetet e tjera europiane. Si një grua që udhëtonte vetëm unë kurrë nuk ndihesha e parehatshme. Shkova në një klub shqiptar dhe asnjëherë nuk u ndjeva e objektivizuar ose e ngacmuar si në klubet të tjera europiane, amerikane dhe të Zelandës së Re. ”Hitchhiking” (”autostop”) në Shqipëri është shumë i zakonshëm për turistët dhe nganjëherë është e vetmja mënyrë për të shkuar nga destinacioni A në B nëse doni të përshkoni rrugët e panjohura. Kam shkruar një artikull të gjerë mbi sigurinë në Shqipëri.
9. Shqiptarët i duan të huajt! Ata ju mirëpresin krahëhapur dhe me zemra të hapura, ky është moment kur e kuptoni se është një destinacion i mrekullueshëm udhëtimi.
“Nga jeni?”, është një pyetje popullore që ju bëhet kur jeni duke udhëtuar nëpër Shqipëri. Kur thosha “Nga Zelanda e Re” fytyrat e tyre ndizeshin nga lumturia, gëzimi dhe ndonjëherë pak konfuzion. Po, Zelanda e Re është shumë larg.
A duhet të vizitoj Shqipërinë? Absolutisht! Shqipëria me të vërtetë më bëri përshtypje dhe unë jam shumë e lumtur të ndaj me ju këto arsye pse duhet të vini dhe të vizitoni Shqipërinë. Unë mund të përmend edhe 100 të tjera! Më pëlqeu aq shumë sa që kam planifikuar të vizitoj Shqipërinë disa herë këtë vit për të parë më shumë nga ky vend, pasi unë kam ende shumë më tepër për të parë dhe përjetuar në Shqipëri./ /esko/ /ash/ /os/ a.jor.