Nënkryetarja e Forumit Rinor Demokrat, Ina Haxhija, ka vendosur t’i bindet vendimit politik të Partisë Demokratike për të djegur mandatin e deputetes.
Dy ditë më parë në adresën e nënkryetares së FRPD-së ka mbërritur kërkesa e KQZ-së për marrjen e mandatit të lënë bosh nga deputetët e PDsë në Tiranë që lanë mandatin.
Rastësia ka sjellë që në bazë të renditjes në listë, nënkryetares së FRPD-së t’i takonte që të zëvendësonte në Parlament mandatin e lënë nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
“Me shkresën numër 711/2 prot., datë 25.02.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, vakancë kjo e krijuar si pasojë e dorëheqjes nga mandati i deputetit z.Sali Ram Berisha, i zgjedhur në zonën zgjedhore Qarku Tiranë, propozuar nga subjekti politik Partia Demokratike”, thuhet në shkresën e dërguar nga KQZ në drejtim të kandidates demokrate.
Këtë rastësi, Haxhija e ka ndjerë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, duke kujtuar se nuk mund ta zëvendësojë dot liderin historik të së djathtës.
“Më vjen keq, po nuk e zëvendësoj dot”, është shprehja që Haxhija ka publikuar bashkë me shkresën e dërguar nga KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vënë në dijeni 57 kandidatët për deputetë të dy partive opozitare, PD e LSI. Më konkretisht, pas djegies së mandateve parlamentare nga deputetët opozitarë, KQZ ka kontaktuar 40 kandidatë të Partisë Demokratike dhe 17 të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Referuar afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, ata kanë 10 ditë kohë në dispozicion për të dorëzuar në Komision Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit, gjithmonë nëse do të pranojnë të marrin mandatit e deputetit të lënë vakant.