Ja kush janë aksidentet më tragjike ajrore në 20 vitet e fundit

PARIS, 11 prill /ATSH-AFP/ – Rrëzimi i një avioni ushtarak në Algjeri, ku u regjistruan 257 të vdekur të mërkurën, është aksidenti i katërt më tragjik i shënuar në 20 vitet e fundit në botë, ku shkaqet mbeten ende mister, nëse përjashtojmë sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA.

-Aksidenti më tragjik, 298 të vdekur në Ukrainë-

Më 17 korrik 2014, avioni ”Boeing 777” i kompanisë ”Malaysia Airlines”, që kryente linjën Amsterdam-Kuala Lumpur (fluturimi MH17), u rrëzua në afërsi të Doneskut në lindje të Ukrainës.

Aksidenti shkaktoi 298 të vdekur, përfshirë 193 holandezë, në rajonin e përfshirë nga një konflikt i armatosur dhe i kontrolluar nga separatistët pro-rusë.

Autoritetet e Kievit dhe rebelët akuzojnë njëri-tjetrin si shkaktarin e këtij sulmi.

Një hetim i thelluar i kryesuar nga Holanda arriti në shtatorin e vitit 2016 në përfundimin se avioni ishte goditur nga një raketë e llojit ”BUK” , lëshuar nga një zonë luftimesh e kontrolluar nga rebelët pro-rusë.

-Avioni ushtarak 275 të vdekur në Iran-

Më 19 shkurt 2003, një avion transporti ushtarak me dy motorë i forcave ajrore të Gardës së Republikës u rrëzua rreth 35 kilometra nga Kerman (juglindje), duke regjistruar 275 të vdekur.

Avioni u zhduk nga radarët një orë pas ngritjes nga toka. Piloti kishte kontaktuar me kullën e kontrollit të aeroportit të Kerman duke kërkuar të ulej për shkak të kohës së keqe.

-265 të vdekur në Nju Jork-

Më 12 nëntor 2001, një avion Airbus A300 që bënte linjën midis Nju Jorkut dhe Republikës Domenikane u rrëzua në lagjen rezidenciale të ”Queens”, disa minuta pas nisjes nga aeroporti ”John. F. Kennedy”.

Bilanci arriti në 265 viktima, 260 persona në bordin e avionit dhe pesë banorë vdiqën pas zjarrit të rënë në shtëpitë e tyre.

Dy muaj më parë, katër avionë u rrëmbyen për kryerjen e sulmeve të 11 shtatorit, duke shkaktuar më shumë se 3 000 të vdekur, pjesa më e madhe gjatë rrëzimit të kullave të World Trade Center në Nju Jork, që u goditën nga dy avionë.

-Aksidentet ajrore në det-

Dy aksidente të tjera ajrore ndër më tragjiket në 20 vitet e fundit të regjistruara në det.

Më 23 shtator 1998, një avion MD-11 (McDonnell Douglas) i kompanisë Swissair, që kryente linjën mes Nju Jorkut dhe Gjenevës, me 229 persona në bord, u rrëzua në det në brigjet e Peggy’s Cove, në jug të Halifax (Kanada, Skocia e Re), pas një defekte elektrik në bord. Asnjë pasagjer apo anëtar ekuipazh nuk i mbijetoi këtij aksidenti tragjik.

Më 1 qershor 2009, një avion Airbus A330-230 i Francë Air (fluturimi AF447), që bënte linjën midis Rio de Zhaneiros dhe Parisit, u zhduk mbi Atlantik në një zonë me turbulenca me 228 persona në bord. Vetëm disa pjesë të avionit u gjetën një javë më vonë. Skeleti i avionit u lokalizua dy vite më pas në brigjet e Brazilit.

-Misteri i MH370-

Më 8 mars 2014, një avvion Boeing 777 i ”Malaysia Airlines”, me 239 persona në bord u zhduk nga radarët pak pas nisjes nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit. Skeleti i avionit që kryente fluturimin MH370, mendohet të jetë rrëzuar në jug të Oqeanit Indian, i cili nuk u gjet kurrë./ATA

Loading...