Ja sa qytetarë gjobiten për mos zbatimin e masave anticovid, vijojnë kontrollet në të gjithë vendin

Ndëshkohen me masë administrative, 1710 qytetarë dhe 10 administratorë lokalesh që u konstatuan duke mos i respektuar këto masa gjatë fundjavës.

Masë administrative edhe për 38 qytetarë dhe 3 subjekte që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00, në fundjavë.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1710 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 10 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 12 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara në fundjavë, për zbatimin e masave kufizuese, kanë konstatuar 3 subjekte ku ushtrohej aktiviteti pas orës 22:00. Secili nga subjektet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 38 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Loading...