Unë nuk kisha një baba të pasur ose të edukuar. Aplikova tre herë për në universitet. Të gjitha të dështuara. Aplikova gjithashtu në Harvard 10 herë, por ata as nuk m’i hodhën sytë. Dhe unë mendoj se kjo është një gje normale, por mendoj edhe se ishte shumë e vështirë asokohe e unë isha shumë i dëshpëruar. Unë besoja se diçka po më priste dhe se duhet të punoja fort që të provoja veten time.
Ishte një eksperience e vështirë. Askush nuk besonte se unë mund të isha i suksesshëm, sepse të gjithë thonin se ky djalë mendon ndryshe, mendon si një i çmendur. Dhe mendonin për diçka që nuk do të funksionojë kurrë. Kjo është e gjitha. Dhe tani pas 16 vitesh, unë kam shumë. Jam pronari i kompanive Ali Baba, Tmail, Taobao, AliPay.
Njerëzit tani thonë: “Si e arrite këtë? Pse njerëzit nuk mund të gjejnë mundësinë që ti munde të gjesh?”. Dhe njerëzit rrinë të ulur e thonë: “Ku është mundësia? Nuk kam një punë. Nuk kam këtë e nuk kam atë”. Vetëm kur të mendosh se sa po e shkatërron veten duke bërë rolin e viktimës, do të mund të fillosh të ndryshosh në të vërtetë. Kam parë shumë të rinj që kanë ide fantastike në mbrëmje, por në mëngjes ata shkojnë përsëri në punë njësoj.
Lëviz, bëj diçka! Për çdo person nesër është një ditë e re. Nese është diçka që çdokush e beson, çdokush e do, harroje! Kjo është mundësia jote. Sepse kur të gjithë janë dakort, atëherë pse kjo mundësi duhet të jetë e jotja? Por mund të ndodhë edhe që shumë njerëz të mos bien dakort me mundësinë tënde, por në qoftë se ti mendon se është e mirë, bëje. Mendo me kujdes dhe gjej një grup njerëzish që punojnë bashkë me ty. E sigurohu që personat të cilët punojnë për ty, të besojnë në të njëjtën ëndërr.
Nëse investitorët e besojnë këtë ose jo, nëse miqtë e besojnë ose jo, nëse prindërit e tu e besojnë ose jo. Nuk ka rëndësi! Ti e beson! Grupi yt e beson dhe punon natë e ditë për atë gjë. Kështu ndodhin gjërat! Mos u anko! Lëri të tjerët të ankohen. Ata që nuk ankohen, janë ata që qëndrojnë. Dhe mos thuaj: “Epo unë nuk kam…”.
Mendo si mund t’i bësh gjërat ndryshe. Mendo! Dhe beso në diçka. Kjo është këshilla e fundit që unë të jap. Duhet të punosh fort! Për të tjerët, ose për veten tënde. Unë zgjodha të punoj për veten time. Por të punosh për vete, do të thotë të punosh edhe për shoqërinë. Nëse vërtet do të punosh për vete, mendo sadopak edhe për të tjerët që kanë nevojë për ty!