Më vjen keq të kujtoj se i vetmi rast kur unë kam dëgjuar këtë lloj refuzimi ndaj dialogut është me opozitën e sotme, me Lulzim Bashën i cili u fut në çadër, nxori kërkesat dhe thoshte: ‘plotëso kërkesat, se ndryshe ti do të largohesh bashkë me qeverinë”, tha sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa ftoi sërish studentët për të diskutuar.
Rama kujtoi po ashtu edhe rastin e kërkesës së opozitës për vetingun e politikanëve, ku sërish opozita me urdhër e ultimatum nuk pranon të ulet dhe të diskutojë.
“Problemi ynë në Shqipëri ka qenë se nuk na dëgjonte njeri problemin, ndërkohë që unë jam i gatshëm që në sekondën e parë kur dikush e kërkon për ta dëgjuar”, tha Rama.
Kreu i qeverisë solli si shembull funksionimin e platformës së bashkëqeverisjes, si dëshmi e vullnetit për të dëgjuar të gjithë.
“Ne kemi dëgjuar edhe atë pensionisten në fund të botës, për korrigjimin e pensionit dhe falë platformës iu korrigjua pensioni, ndërkohë që u ndoqën në rrugë administrative burokratët e korruptuar. kemi dëgjuar edhe atë mësuesen nga një provincë e humbur që i ishte mohuar e drejta e fituar përmes portalit, sepse dikush në zyrën arsimore është i korruptuar. Mësuesja fitoi të drejtën”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “protestuesit gjithmonë kanë pasur akses dhe jo më studentët”.
“Dua të di, protesta është apo jo, politike? Apo, është e orkestruar në mënyrë të tillë që disa që i pashë të dalin dhe të thonë larg politikës, ndërkohë janë telefoni i prishur i politikës? Por nëse protesta është e atyre që dolën spontanisht në momentin e parë për një arsye të drejtë, sepse një dekan i papërgjegjshëm tha se nuk do paguani me këste tarifat por do t’i paguani tani, ata duhet të vijnë të dialogojnë”, tha Rama.
Dialogu, theksoi Kryeministri, “nuk është një akt martese me zor, por një komunikim ku palët flasin, dëgjohen dhe secili vazhdon punën e vetë”.
“Është e drejta juaj të rrini atje dhe mos ndaloni të protestuari, por mos mendoni se kërkesa që secili ka në kohë duhet që ne ta nxjerrim nga koka juaj dhe të bëjmë pastaj një lojë kungulleshkash”, tha Rama.
Unë, tha Kryeministri Rama, “jam me çdo student dhe do të isha aty, si një student që është aty për veten e tij, jo për Lulin, Monikën apo komshinjtë, por për veten e tij, për shtëpinë e tij dhe për të ardhmen e tij”.
“Jam me çdo prind që mbështet çdo studentë që është aty për veten e tij. Dhe kush është aty për këtë nuk ka nevojë të zgjedh forume, apo partira, por ka mundësi të vijë dhe të ulemi të flasim. I pres të gjithë 10 veta, 100 veta, 200 veta, i takoj të gjithë me radhë”, tha Rama. /atsh