Japin dorëheqjen 7 anëtarët e grupit të vettingut/ ‘Nuk bëhemi vegla të partive’

Shtatë anëtarët e grupit të ekspertëve të pavarur, i themeluar me Vendimin Nr.08/04, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me përgjegjësi në hartimin e skenarëve mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë, kanë dhënë dorëheqje të mërkurën.

Përmes një letre drejtuar ministrit të Drejtësisë dhe kryeministrit të vendit, ekspertët nga shoqëria civile kanë thënë se arsyeja e dorëheqjes ka të bëjë me qasjen e Qeverisë aktuale, nga çka fushëveprimi dhe qasja e grupit tanimë është bërë pothuajse e parëndësishme dhe do të kishte efekt mbase edhe negativ.

Letra e plotë:

Për: z. Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë, Republika e Kosovës
Njoftohet: z. Abdullah Hoti, Kryeministër
Qeveria e Republikës së Kosovës

Nga: Grupi i ekspertëve të pavarur për procesin e vettingut
Lënda: Dorëheqje nga Grupi Punues për procesin e vettingut
Data: 8 korrik 2020
I nderuar Ministër Selimi,

Ju shkruaj në emër të grupit të ekspertëve të pavarur, i themeluar me Vendimin Nr.08/04, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me përgjegjësi në hartimin e skenarëve mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë.

Sikurse edhe jeni në dijeni, që nga miratimi i këtij vendimi, në Kosovë shumë procese të rëndësishme janë penguar për shkak të pandemisë COVID-19, duke ndikuar edhe në punën e grupit të ekspertëve të pavarur.

Javën e kaluar ne kemi pranuar një email nga Drejtori i Zyrës Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, z. Adrian Bajraktari, ku ndër të tjera ne informohemi se Ju si Ministër i Drejtësisë keni vendosur të themeloni një grup të ri punues për tu miratuar në Qeveri lidhur me hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në Sistemin e Drejtësisë me qëllim të adresimit të llogaridhënies, duke mos përjashtuar edhe procesin e vettingut.

Në pajtim edhe me qëndrimin tonë të sqaruar në takimin e mbajtur në mes të ekspertëve të pavarur në zyrën tuaj dhe në prani edhe të Zëvendës-Kryeministrit z.Driton Selmanaj, përmes kësaj shkrese Ju informojmë se si grup në mënyrë kolektive tërhiqemi nga puna e grupit punues, duke marr për bazë se koncepti dhe qëllimi origjinal i idesë për të hartuar skenarët mbi elementet e reformës së vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.

Qëllimi i grupit të ekspertëve asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk është të jetë servis i partive politike, por qëllim i pastër për të ofruar ekspertizën dhe njohuritë tona lidhur më këtë fushë kaq të rëndësishme për sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe që në fund do të mund të përkthehej në një dokument, i cili do të ishte pikë nisje për Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për të marr vendime që iu takojnë në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit, për të pastruar sistemin e drejtësisë, dhe për të ngritur integritetin personal dhe institucional të akterëve kyç në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Me qasjen e re, fushëveprimi dhe qasja e grupit tanimë është bërë pothuajse e parëndësishme dhe do të kishte efekt mbase edhe negativ më pjesëmarrjen në një grup kaq të madh dhe ku rol kryesor, duket se do të kenë mu akterët kryesorë, të cilët do të duhej të jenë subjekt i procesit të vettingut, dhe ku qëndrimi i shumicës prej tyre tanimë është i njohur për publikun, kundër porcesit të vettingut.

Ju njoftoj se qëndrimi jonë ndërlidhet vetëm me anëtarët e grupit të ekspertëve, pa paragjykuar pjesëmarrjen e organizatave që ne përfaqësojmë në grupin e ri punues. /BetimipërDrejtësi

Loading...