Jep dorëheqjen Drejtori i Sistemit Informatik në Drejtorinë e Tatimeve

Drejtori i Sistemit Informatik në Drejtorinë e Tatimeve ka dhënë dorëheqjen.

Vendimi vjen pas skandalit të publikimit të pagave të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, të dhëna që po qarkullojnë në duart e kujtdo në internet.

Burime nga Tatimet thanë për panorama.al se drejtori i Sistemit Informatik është vendosur në dispozicion të hetimeve që ka nisur Prokuroria e Tiranës.

Ndërkohë që të premten, 24 dhjetor, skandali është thelluar pas publikimit të një tjetër databaze, me targat e makinave të shqiptarëve.

Prokuroria nisi verifikimet me iniciativë, por edhe nisur nga ankesat e disa qytetarëve, ndërsa dje u regjistrua procedimi për 3 vepra penale.

“Panorama” mëson se Prokuroria ka dërguar 3 oficerë të grupit hetimor në institucionet e AKSHI-t, ISSH-së dhe në Drejtorinë e Tatimeve.

Prokuroria po kryen hetime për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Ndërhyrje në sistemet kompjuterike” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Burimet thanë se, nga të dhënat e deritanishme, dyshohet të jenë kryer rreth 640 mijë veprime për afro 3 muaj, përmes dokumentit të listës së pagave.

Loading...