Jep papritur dorëheqjen zyrtari i lartë, zbardhen detajet

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës, Samir Shahini ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Përmes një postimi në Facebook, Shahini ka njoftuar të premten se arsyet që e çuan të marrë këtë vendim janë personale dhe “pak profesionale”.
Për këto të fundit, ka thënë se është informuar kryetari i komunës.

“Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj nëse nuk mund të i përgjigjem secilit e secilës nga ju me sqarime në email, mesazha, e telefonata”, ka shkruar Shahini.
Postimi:
Të nderuar qytetarë,
Të dashtun miq e familjarë,
Kam dorëzuar dorëheqjen time nga posti i Drejtorit Komunal për Arsim në komunën e Fushë Kosovës!
Arsyet e largimit tim janë kryesisht personale, dhe sigurisht pak edhe profesionale. Për keto të fundit, është informuar me kohë kryetari i komunës.
Dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj nëse nuk mund të i përgjigjem secilit e secilës nga ju me sqarime në email, mesazha, e telefonata.
Përgjatë pervojës sime thuajse 1 vjeçare në pozitën e drejtorit, unë kam punuar me përkushtim të palëkundur përkundër vështirësive e pengesave të qëllimta nga individë të caktuar brenda e jashtë komunës, kemi bërë punë të shumta e të mira, e një numër të madh ndryshimesh i kemi inicuar bashkë me kryetarin, stafin e drejtorisë e të komunës, shkollave e partnerët e shumtë. Po i listoj vetëm disa nga sukseset e arritura gjatë kohës si drejtor:
– Kemi përfituar mbi 150 vende të reja të punës në arsim në kuadër të grantit specifik për arsim,
– Kemi rritur shumën si vlerë deri në 600 euro, dhe numrin e përfituesve të subvencioneve (bursave), duke e çuar në 626 sosh,
– Kemi bërë riorganizimin e normave dhe orëve mësimore për të gjithë mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme,
– Bashkë me kryetarin, kemi nënshkruar dhjetëra marrëveshje mirëkuptimi, ose lëshuar pëlqime për partnerë nga OJQ, institute e kompani për të punuar në rritjen e cilësisë, dhe progresit të përgjithshëm në arsim,
– Kemi përfituar dhjetëra mijëra euro donacione në forma të ndryshme nga donatorë e biznese,
– Kemi zgjidhur probleme akute të sistemit të arsimit në komunën tonë, siq ka qenë mungesa e psikologëve, pedagogëve, sekretarëve në disa shkolla, e të ngjashme,
– Kemi rritur buxhetin për vitin 2023 në subvencione nga 200,000 euro, në 450,000 euro, si dhe kemi ndarë mjete për renovim e riparim të thuajse të gjitha shkollave në nevojë në komunën tonë,
– Fushë Kosova si komunë për herë të parë e me dinjitet të lartë, ka marrë udhëheqjen e një kolegjiumi në Asociacionin e Komunave të Kosovës (Kolegjiumin për Arsim) – ku unë jam zgjedhur kryesues.
Shumë të tjera kanë mbetur vetëm në plane, ose ide. Sigurisht koha që e kërkojnë secili nga ndryshimet që duam të sjellim, e ka bërë të pamundshme për të bërë të gjitha ato që kemi synuar brenda një viti.
Uroj që punët e mira të vazhdohen, e nuk kam dyshim që kryetari do të vazhdoj me reformën në komunë e sidomos në degë të LDK-së, se ndryshe nuk bënë!
Fushë Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm, me një dinamikë të pakrahasueshme, njerëz të mirë e pasuri të shumëta. Duhet me e dashtë këtë vend, pavarësisht të gjithave e të gjithëve.
Falemnderit për mirëkuptimin tuaj sot, e shumë prej jush falemnderit nga zemra për përkrahjen e pakushte, për dashninë, për sinqeritetin. E juve që po iu drejtohem në veçanti e që e dini kush jeni, më keni bërë të besoj që ky vend është… (jo bëhet, por është dhe do të mbetet përgjithmonë shtëpia jonë)!

Loading...