Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë detaje për situatën e krijuar nga moti i keq. Ai thotë se forcat e ushtrisë janë në gatishmëri për të përballuar situatën e cila gjatë natës mund të përkeqësohet pasi pritet të ketë reshje të shumta.
“Situata e krijuar si pasojë e reshjeve intensive pothuaj në të gjithë territorin e vendit paraqitet më e mirë, por strukturat e emergjencave civile vijojnë punën në terren për eliminimin e çdo pasoje.
Tri ekipe nga Forcat e Armatosura janë angazhuar në ndihmë të punonjësve të bashkisë së Tiranës, ku situata është përmirësuar ndjeshëm.
Vëmendje e shtuar është në qarqet Dibër e Shkodër, ku po punohet për pastrimin e disa akseve.
Sipas parashikimeve nga IGJEO, gjatë natës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë territorin e vendit, ku në një pjesë të madhe të tij reshjet do të jenë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta.
U bëjmë thirrje qytetarëve të njoftojnë në kohë, në rast nevoje dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme” – thuhet në njoftimin e ministrisë së Mbrojtjes.
“Brigadat e OSSH vijojnë punën në terren, ku prej 7 orësh janë angazhuar për riparimin e defekteve shkaktuar nga dëmtimi i linjave prej motit të keq. Reshjet e shiut dhe shkarkesat atmosferike sollën avari në disa pjesë të rrjetit elektrik, si rrëzim/thyerje shtyllash, prezencë uji në kabina, këputje përcjellësi në linjat ajrore, etj.
Aktualisht puna vijon me ritme të kënaqshme, pavarësisht se moti i keq pengon elektricistët të avancojnë më shpejtë me proceset e operimit. Në raport me informacionin e orës 17:00, kemi një përmirësim të furnizimit me energji elektrike me 73% për zonat e prekura nga defektet e motit të keq.
Vlen të theksojmë se linjat e tensionit të lartë 35kV dhe n/stacionet kanë punuar rregullisht, ndërsa linjat që furnizojnë objektet e rëndësisë së veçantë janë në funksion të plotë” – thuhet në një tjetër njoftim të OSSHE.